Banorët e zonës së Kombinatit në Tiranë, të cilët trajtohen me bonus qeraje pasi banesat e tyre u shembën nga tërmeti i Nëntorit të 2019-tës, kanë denoncuar në Fax Neës vonesat në marrjen e parave.
Ata shprehen se në rreth dy vite që trajtohen me bonus qeraje, kanë marrë në datën e caktuar paratë vetëm në dy muajt e zgjedhjeve, ndërsa pjesën tjetër të kohës, detyrohen që të presin me javë në radhë përpara postës.
Banorët thonë se procesi i rindërtimit ndërkohë ka ngecur dhe nuk po përparon, ndërsa institucionet i hedhin topin e përgjegjësisë njëri-tjetrit.
“Unë jam Ferdinand Saraçi, kur shkojmë të marrim bonusin duhet të rrimë me ditë dhe me javë që të na e japin. Vetëm dy muaj kur u bënë zgjedhjet i kemi marrë në datën e caktuar, tani jemi në luftë me njëri tjetrin.
Tallin menderin këto me neve, shteti ta hetojë, se kemi dy vite që po na bëjnë zbor, as vetë nuk e dimë me se çfarë bëhet. Vetëm dy muaj i kemi marrë tamam, më mirë të na i heqin fare. Unë jam në banesë me qera, kam ndejtur 4 muaj në shi me dy fëmijë të vegjël.
Posta del e na bën propagandë, na bërtasin. Kemi që në datën 23 që rrimë nga mëngjesi deri në darkë në mesin e vapës, të shkojmë të flemë më mirë te Bashkia e madhe me gjithë kalamajtë.
Jemi në ajër dhe nuk e dimë se çfarë po ndodh me rindërtimin. Unë jam mësuar, familja ime ka ndenjur kaq kohë në shi përjashta, daline bëjnë propagandë, nuk e dimë se ku çalon puna, te bashkia e madhe, te bashkia e vogël apo te posta”, shprehet një prej banorëve, ndërkohë që të tjerët denoncojnë.
“Jemi banorë të vjetër të kombinatit ne, dhe i kanë lënë gjërat grumbull se duan të fitojnë lekë”.
“Unë kam dy muaj pa bonus qeraje, nusja më ka vdekur, dhe jam me tre fëmijë të vegjël, pronari i shtëpisë do qeranë, dhe nuk kam mundësi që tia jap”.
Banorët ndërkohë hedhin akuza se ndarja e bonusit të qerasë mund të bëhet në mënyrë selektive, dhe thonë se ka përfitues që nuk u janë dëmtuar fare banesat e tyre.
(E.K/Faxweb.al)