Ndonëse posedojnë me shumë sa një banesë, disa deputetë të Kuvendit, rezultojnë se kanë përfituar para publike sikur kanë banuar në shtëpi me qera si dhe për fjetje në hotele brenda vendit, për shkak të detyrës si ligjvënës.
Kështu deputetja socialiste Adelina Rista vetën për një muaj ka shpenzuar 72 mijë lekë të reja për hotel.
Tetë deputetë, gjatë muajt nëntor të 2017, kanë përfituar nga paratë publike në vlerat nga 21 000 lekë deri në 35 000 lekë për pagesën e qirasë.
Konkretisht, kanë marrë para nga buxheti për qiranë e banesës deputetët Nard Ndoka, Ilirian Pendavinji, Edmond Leka, Xehvit Bushaj, Edlira Bode, Izmira Ulqinaku, Nadire Meçorapaj dhe ish-deputeti Gledion Rehovica.
Ndërkaq, gjashtë deputetë kanë përfituar nga paratë publike për fjetje në hotele brenda vendit, për shkak të punës që lidhet me detyrën e tyre si ligjvënës. Konkretisht deputetja Adelina Rista ka shpenzuar 72 000 lekë për hotel, Andrea Marto 18 000 lekë, Izmira Ulqinaku 29 750 lekë, Nadire Meçorapaj 29 750 lekë, Tatiana Nurçe, 72 000 lekë dhe Eduard Shlasi 15 00 lekë, shkruan shqiptarja.com
Sa i takon shpenzimeve të tjera, vetëm për muajin nëntor të vitit 2017, të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë shpenzuar për karburant 4 464 848 lekë. Shuma e shpenzuar është kompensuar me paratë e buxhetit të Kuvendit. Po gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, 140 deputetët kanë shpenzuar për komunikimin me telefon 2 144 000 lekë.
Deputetët kanë përfituar 5 831 586 lekë dieta për muajin nëntor 2017. Po gjatë kësaj periudhe, deputetët, për pjesëmarrjen në komisionet e përhershme parlamentare kanë përfituar 2 065 500 lekë, për pjesëmarrje në mbledhjet e Byrosë së Kuvendit 16 500 lekë dhe për pjesëmarrje në mbledhjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore kanë përfituar 31 000 lekë.
Manovra- Në një studim të Institutit të Studimeve Politike thuhet se disa deputetët, edhe pse kanë 2-3 banesa në Tiranë, shpallen të pastrehë në kryeqytet, për të përfituar 500-1 000 mijë euro në muaj, për strehim dhe udhëtime. “Të paktën deputetë, ndonëse kanë banesa private në verifikueshme në Tiranë (banesa të dyta, të treta, madje edhe pronarë ndërtesash me apartamente, etj), deklarojnë në Kuvend një vendbanim tjetër, kryesisht në zonat e largëta elektorale. Me këtë veprim ata përfitojnë trajtim të veçantë financiar për udhëtimin e strehimin që shkon në konvertim nga 500 deri 1100 euro/muaj.
Pra, përmes deklarimeve formale (certifikata e regjistrim në zonat elektorale) ata zyrtarisht quhen të pastrehë në Tiranë dhe trajtohen si të tillë, megjithëse posedojnë në Tiranë apartamente, vila apo banesa të tjera private e familjare. Absurdi, sipas të cilit me taksat qytetare paguajmë shtrenjtë me çmime hoteli deputetë që flenë në shtëpinë e tyre të dytë/tretë private, meriton vëmendje dhe reagim institucional të menjëhershëm”, ka pohuar ISP.
Shpenzimet për qera, muaj nëntor 2017
Gledion Rehovica, 35 000 lekë
Ilirian Pendavinji, 25 667 lekë
Nard Ndoka, 35 000 lekë
Edmond Leka, 35 000 lekë
Xehvit Bushaj, 21 000 lekë
Edlira Bode, 35 000 lekë
Izmira Ulqinaku, 35 000 lekë
Nadire Meçorapaj, 35 000 lekë
Shpenzimet për fjetje në hotel, muaj nëntor 2017
Adelina Rista, 72 000 lekë
Andrea Marto, 18 000 lekë
Izmira Ulqinaku, 29 750 lekë
Nadire Meçorapaj, 29 750 lekë
Tatiana Nurçe, 72 000 lekë
Eduard Shlasi, 15 00 lekë.