Blog-Autor: Altin Hazizaj
Kushdo ka studiuar sistemet e qeverisjes e di që roli kryesor i qeverisë është shpërndarja e drejtë e të mirave materiale që shoqëria krijon falë burimeve dhe punës së saj.
Fundi i viteve ‘50 i gjeti të gjitha shoqërite perëndimore të varfëra, të shkatërruara dhe plot probleme e ndarje sociale!
Megjithatë falë lidershipit politik, punës, modelit politik dhe shpërndarjes së drejtë të burimeve e të mirave të tyre ato arritën në pak vite të ktheheshin në motorre zhvillimi dhe përparimi.
Modeli social që në kaq shumë na pëlqen kur vizitojmë vendet perëndimore, i ka fillesat në varfërinë dhe shkatërrimin që solli Lufta e 2-të Botërore.
Shqipëria në fillim të viteve ’90 ndodhej në të njëjtën situatë varfërie, por pa pasojat që shkakton Lufta.
Por në këto 28 vjet elitat tona, për shkak të paditurisë, kapjes së tyre politike nga krimi, mungesës së vizionit të qeverisjes dhe vlerave demokratike, etjes për pasurim të tejskajshëm, në një kohë paqeje i kanë shkaktuar vendit dëme sikur të kishte qenë në kohë lufte.
Mos arritja e paqes sociale i ka kthyer shqiptarët në popullin me emigracionin (jo mobilitetin) më të lartë në Europë dhe në botë.
Asnjëherë në historinë e një vendi demokratik nuk ka patur kaq shumë përqendrim pushteti ekonomik, politik dhe ushtarak, në duart e një kastë kaq të vogël njerëzish.
Kjo mos-shpërndarje e pushtetit me qytetarët në të gjitha nivelet, për shkak të frikës, por edhe paaftësisë së elitave politike për të kuptuar rreziqet që vijnë nga pushteti i tepruar, i ka kthyer politikanët në thuajse oligarkë, ndërsa qytetarët përballen me dy mundësi: ose të qëndrojnë dhe të mbijetojnë me punë të ndershme a jo, ose të ikin e të nisin një jetë nga fillimi jashtë.
Në historinë e botës ka patur plot shtete që për të njëjtat shkaqe si këto tonat kanë pushuar së ekzistuari!
Nga mënyra sesi po zhvillohen ngjarjet, Shqipëria është më afër shpërbërjes së saj si shtet sesa integrimit në Bashkimin Europian.
Asnjë reformë e qeverisë aktuale dhe asnjë protestë e opozitës së korruptuar nuk e zgjidh problemin tonë, pasi ata thjesht duan të ndërrojnë pozicionet me njëri-tjetrin për të vendosur se kush do të zotërojë “tepsinë”, pa iu përgjigjur pyetjes sesi do ta ndajnë atë me të gjithë qytetarët pa përjashtim.
Këtu ri-dhënia e pushtetit ekonomik çdo herë milionerëve dhe miliarderëve është kthyer në moton qeverisëse: Të gjithë për 1-shin!
Vetëm një revolucion i vërtetë politik, ideologjik dhe social mund të zgjidhë problemin shqiptar.
Një shkëndijë mund të jepet me mos-hapjen e negociatave me BE-në, që mund të shënojnë fundin e qeverisë së Ramës.
Nëse elitës sonë politike i ka mbetur ende një fije inteligjence janë ende në kohë për ta kryer këtë revolucion.
Discussion about this post