Familjarët e 23-vjeçarit që u vetëvar të shtunën në qelinë e burgut 302 në Tiranë ende nuk e dinë se si ka ndodhur ngjarja. Ata rrëfejnë për një portal online se djali i tyre ka qenë i pafajshëm dhe është arrestuar kot nga Policia. Familjarët shprehen se edhe vetëvrasjen Napulon Luca e ka kryer për shkak të padrejtësisë që iu bë, duke e arrestuar me të padrejtë. Një i afërm i viktimës, tha dje se nuk e dinë ende çfarë ka ndodhur, ndaj dhe nuk mund të flasë shumë pa e ditur me saktësi se si ka ndodhur ngjarja.
“Ne dimë vetëm aq sa kemi parë e lexuar në media. Arsyen e vërtetë, rrethanat si ka ndodhur ngjarja nuk na e kanë treguar ende. Po presim të na e thotë dikush që është përgjegjës për këtë punë. Nuk dimë çfarë të themi më shumë. Ai ishte i pafajshëm. E arrestuan kot”, tregon më tej i afërmi i Napulon Lucës, i cili dyshon se për këtë arsye ai mund të ketë vrarë veten.
Napulon Luca ishte arrestuar më 14 janar të këtij viti, bashkë me vëllezërit e tij, të cilët më pas u lanë të lirë. Ndërsa vetë viktima mbahej në paraburgim deri në përfundim të gjykimit për të, që në fakt nuk kishte nisur ende. I riu nga Dibra dhe banues në Tiranë akuzohej nga Policia për vjedhje.
Komisariati nr.3 është njoftuar nga shërbimet e Burgut 302, se në orën 02:15 të së shtunës një i dënuar është gjetur i varur me çarçaf në dhomën e tij, ku qëndronte vetëm. Policia ka nisur menjëherë veprimet hetimore, ndërkohë 23-vjeçari është transportuar me urgjencë në Spitalin “Nënë Tereza”, por mjekët e Spitalit të Burgut kanë konstatuar se ai kishte ndërruar jetë. (J.V/Shuplaka)