Kryeparlamentari i rizgjedhur, Kadri Veseli, në një konferencë për media deklaroi se Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me propozimin që edhe Kosova të ketë një ligj, që njihet si Veting duke shtuar se Kosova do të jetë një strehë e sigurtë për të gjithë qytetarët e saj.
Veseli gjithashtu tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka probleme dhe nevojiten reforma në drejtësi.
“Çështjet që kanë të bëjnë me hipoteza të ngritura do t’i orientojmë brenda institucioneve në mënyrë shumë të hapur. Kemi nevojë për reforma në sistemin e drejtësisë. Kam biseduar edhe me mandatarin për çështjen e Vetingut i cili do të përfshijë jo vetëm sistemin e drejtësisë dhe sigurisë por edhe atë politik.
Propozimi ynë do të jetë shumë i qartë për të gjithë ne në politikë por edhe për të gjithë familjarët tanë që të dihet saktësisht se cila është e vërteta”, është shprehur Veseli.
Në lidhje me emërimin e ministrave të rinj, ai bëri të ditur se edhe kjo do të ndodh shumë shpejt dhe gjithçka do të jetë transparente. Veseli tha se ministrat do të jenë njerëz që nuk kanë asnjë pengesë ligjore apo etike që të jenë ministra. Sa i përket kushtëzimeve nga Lista Srpska, kryeparlamentari Veseli tha se nuk lejon kushtëzime nga askush dhe se sovraniteti është i shenjtë.
Kujtojmë që në mediat kosovare ka qarkulluar lajmi se Lista Srpska është bërë pengesë për krijimin e qeverisë pasi ka rritur kërkesat e saj. (B.H/Shuplaka)