Partia ‘Zgjidhja’ ka reaguar rreth diskutimeve të fundit që ka përfshirë politikën shqiptare në lidhje me “vettingun e politikanëve”.
Zgjidhja përmes një deklarate thotë se rrugë e vetme për vettingun e klasës politike janë zgjedhjet e lira dhe të barabarta.
Sipas kësaj partie PS dhe PD i mbajnë peng zgjedhjet duke I vjedhur dhe deformuar, ndërsa diskutimet për vettigun e politikanëve e shikon si një përpjekje për të lënë jashtë vëmendjes përmbylljen e reformës zgjedhore.
Deklarata:
Vettingu i klasës politike, vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të barabarta
Partitë e vjetra të Shqipërisë e gjetën sebepin e radhës për të lënë jashtë vëmendjes përmbylljen e reformës zgjedhore që garanton zgjedhje të barabarta dhe të lira. Me batuta hidh e prit, PD dhe PS, na premtojnë vettingun e politikës, që gjoja do të nxjerrë nga skena politikanët e korruptuar.
ZGJIDHJA deklaron se përbetimet e SHQUP-it dhe të Rilindjes se me vetting do të spastrojnë politikën shqiptare janë një front i ri lufte demagogjike për të hequr vëmendjen nga problemet dhe reformat reale që kërkon vendi. Vettingu i klasës politike duhet të realizohet vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të barabarta që duhet t’i grantojë reforma zgjedhore. Prandaj ZGJIDHJA dhe dhjetra parti të tjera e përfaqësues të shoqërisë civile, të angazhuara për zgjedhje të lira dhe të barbarta, do të nisin turin e takimeve brenda dhe jashtë vendit për të informuar institucionet vendase dhe të huaja për domosdoshmërinë e reformës zgjedhore si kushti themelor që Shqipërisë t’i hapen negociatat me Bashkimin Europian në qershor 2019.
PS dhe PD, në bashkëpunim mbajnë peng zgjedhjet që vidhen, manipulohen, deformohen, intimidohen e dhunohen nga komisionerët dhe numëruesit e tyre. Prandaj, pa rrëzuar këtë regjim hibrid, pa rrëzuar marrëveshjen okulte të partive të vjetra që ka zëvendësuar republikën dhe sundimin e ligjit, Shqipëria nuk do të ketë kurrë demokraci të vërtetë parlamentare e pluraliste.
ZgjidhjaPërVendin