Nga Shpëtim Nazarko
Pavarësisht turmave mbushur me kategori të ndryshme njerëzish që hyjnë e dalin në çadrën e protestës, prapa kulisave, mund të thuash, pa bërë ndonjë gabim të madh. Çështja themelore është ajo e vetingut dhe e dyta ajo e zgjedhjeve të reja.
E para duket e drejtuar ndaj politikanëve që do të fillojnë më në fund të paguajnë haraçet e kësaj gjullurdie njëzet e pesë vjecare nga e cila kanë dalë pak a shumë më të fituar nga ata të tjerët që i kanë thirrur t’i nxjerrin nga belaja, pra popullit të pakënaqur, i cili në të gjitha rastet është më i pakënaqur, jo vetëm nga PD, po dhe PS. Çështja e dytë duket akoma më e mprehtë. Batalionet që kanë qenë, si të thuash, në pushim dreke nja katër vjet rresht e me rripa zbërthyer si në ndonjë zbor masiv nga ata të kohës së komunizmit, duhet të bëhen gati për atë parullën e njohur luftarake « Bajonetë mbërthe ».
E thënë akoma më thjesht, çështja është kush do të futet në ato listat që të bëjnë deputet e të sigurojnë qetësinë për nja katër vjet të tjera.
Po përpara se të shpjegojmë se për të dy çështjet duhet zgjedhur vend tjetër debati e jo bulevardi i madh, le të mundohemi të kuptojmë më nga afër çështjet që thamë.
Çështja e parë: Vetingu
Shumë njerëz mendojnë se vetingu ka qëllim kryesor të pastrojë gjyqësorin dhe jo politikën. Kjo tezë e thjeshtë është e drejtë nëse nisesh nga radha e lëvizjes që do të kryhet. Që të fillosh të merresh me politikanët, duhet të gjesh gjyqtarët e duhur. Në ndryshim prej shumë njerëzve, mendoj se gjyqtarët në Shqipëri janë po aq fajtorë, apo ndryshe, janë si gjithë pjesa tjetër e shoqërisë sonë. A i ka përdorur politika ata? Natyrisht që po, por vetëm për çështjet e mëdha politike ndaj këtu nuk dënohet dot akoma ndonjë politikan race. Për cështje civile e të tjera, gjyqtarët e kanë fituar me kohë pavarësinë e tyre dhe kanë vendosur si i kanë gjykuar vetë çështjet. Kush e ka djallosur në këto të fundit, duhet të paguajë dhe nuk kemi pse t’u qajmë hallin…
Po pse bërtasin partitë politike, dhe këtu nuk është vetëm PD, po nga pak edhe LSI? Pse mendojnë që do bien pre e partisë në pushtet sepse do t’i zgjidhë ajo gjyqtarët? Apo ca më shumë tundin kartën e sovranitetit të vendit apo antikushtetueshmërinë? Ku gabojnë realisht në këtë gykim?
Për ta shpjeguar këtë duhet t’i drejtohemi nga pak kohës së Hoxhës. Ka një ngjashmëri dhe një ndryshim me të. Kur Hoxha të fuste në burg, përjetësisht apo të fuste edhe plumbin për shuma të mëdha, këtë e justifikonte me idenë se hajdutët shumë të mëdhenj mund të formonin banda që rrezikonin pushtetin popullor. Në të njëjtin pozitë të ngjajshme me Hoxhën është edhe BE dhe SHBA. Kriminelët e mëdhenj të mbrojtur nga pushteti qendror, bëhen të rrezikshëm e të pakontrollueshëm, jo vetëm për vendin e tyre, por edhe për të tjerët. E jo vetëm për investimet e huaja apo të një tregu a kooperative, e cila është edhe e jona, po edhe e tyrja nesër.
Evropa edhe SHBA janë vërtet ekonomiqare në këtë pikë. Një trupë speciale prokurorësh apo një i tillë i vetëm, të kushton shumë më pak për ta mbajtur qoftë dhe finaciarisht sesa një qeveri të korruptuar. Përfytyroni një makinë që po t’i heqësh fijen e baterisë e ngec në vend dhe e lë pa lëvizur. Çështja është të mbajmë fijen e baterisë, pra të kontrollit, me anë të një prokurori apo grupi të tillë, apo ta lëmë të livadhisë klasën e korruptuar. Amerika dhe Evropa nuk kanë dalë në këtë botë për të humbur para apo investime por për t’i fituar ato… Kështu ato e kanë zgjedhur me kohë mekanizmin e kontrollit, që për shtete të vogla pushteti gjyqësor merr këtë formë që po diskutohet sot. Dhe këtë, unë besoj, do ta bëjnë pa pasur mëshirë për asnjë. Pra për të majtë edhe të djathtë pa përjashtim.
A mund të ankohet klasa e korruptuar e vendit për pavarësi etj.,etj. Po t’i kthehemi prapë kohësh së Hoxhës, do shohim një ndryshim prej tij. Ai të detyronte me zor të hyje në kooperativë, përndryshe të shpallte kulak. Në kooperativën e Evropës ku duam të hyjmë jemi ne ata që lutemi për të hyrë. Do t’i bien shumë politikanë kokës me grushte që kërkuan Evropën, po nuk kemi cfarë t’u bëjmë . Le të qajnë a të përpëliten po fundi i keq është me detyrim. Më duket, madje, se shumë e zgjatëm tragjedi- komedinë tonë.
Çështja e zgjedhjeve të reja…
Vendi më i sigurtë thonë është ai i deputetit. Kryetari i vjetër ka ikur. Të riut, po humbi në këto zgjedhje, nuk i dihet fati… Kush do rrijë e kush do ikë nga të vjetrit? Rrëshqanthi se ku më zunë sytë një shkrim ku bëhej një farë liste se kush e meritonte për t’u bërë deputet, e kush ishte hedhur në krahët e armikut socialist. Gjithsesi koha e zborit ushtarak ka mbaruar dhe dita e betejës së zgjedhjeve të reja po vjen.
Kryetari i ri ka zënë t’u bjerë trumpetave të luftës me një zë që nuk është karakteristikë jo vetëm personale, por edhe e shkollimit nga vjen. Thua është i imponuar se nëse humb do t’i thonë nuk ke bërë opozitë të fortë katër vjet? Thua e ka lëvizje të detyruar, se po aq sa problemi i zgjedhjeve është dhe ai i vetingut dhe nuk ka nga t’ia mbajë. Mund të ketë edhe një hipotezë të tretë. Ka një plan gjenial në kokë për të hequr qafe të vjetrit dhe të imponojë besim te të rinjtë se ai është dash përcori i duhur i turmës apo i partisë.
Nuk e di, mua vetë më duket kryetari i ri në pozitën e një filmi nga ata me kauboj, ku një njeri prej pistolerove e urdhëron të cojë plackat në karrocë dhe tjetri i thotë të mos lëvizë. Sapo ai ndërmerr një veprim për këtej apo andej kërcet koburja e tjetrit. Në fund ai hedh plackat dhe ia mbath i tmerruar nga të dyja palët.
Nuk e di nëse kjo që thashë është vetëm film dhe lojtari ynë mund të ketë dell gjeniu dhe e luan shkëlyqeshëm lojën. Mua vetë nuk më mbushet mendja. Në këta njëzet e pesë vjet që kam parë me nge dhe duke qeshur këtë klasë karagjozesh politikë që e kanë shkatërruar pa fund atdheun e të parëve, vetëm një njeri ka mundur t’ua hedhë të dyja palëve duke dalë pa lagur nga skena. Ky ishte komunisti plak, Ramiz Alia. Po, ai ishte një politikan profesionist që kish nja pesëdhjetë vjet politikë në kurriz. Le të rrojmë e të shohim…
Keni zgjedhur vendin e gabuar, djema, për t’u ndeshur
Njëzet e pesë vjet nuk janë pak, por jo dhe shumë për një parti politike që të marrë vendime të pjekura në rastin e një krize politike që më shumti kërcënon atë vetë. Mund t’i quash edhe shumë, nëse llogarit që ai që e ka udhëhequr këtë parti për shumë kohë, ka një jetë partiake më të madhe se ajo e sotmja.
Në të vërtetë, Berisha është më i qarti nga të gjithë kur mendon se në zgjedhje duhet shkuar dhe bojkoti nuk ka vlerë. Dhe besoj që e ka me sinqeritet. Në 96-n e dënoi bojkotin e PS-së dhe atë mendim duket se e ka ende për këtë formë reagimi. Nga ana tjetër, ai e di shumë mirë se arsyet e paraqitura nga pala e tij zor se bindin ndërkombëtarët. Vetingun këta do ta drejtojnë vetë dhe në këtë sens atyre nuk u hyn në punë se kë do të fusin në thikë të majtë, apo të djathtë, kur të vijë koha. E vetmja që mund të tolerojnë ndoshta është koha kur do të gjykojnë njërin apo tjetrin. Pra ndoshta mund të godasin pa e vrarë opozitën në atë pikë sa ta lënë vendin pa të për një kohë të gjatë. Është punë ekuilibrash dhe këtë lloj loje Evropa e bën shumë më mirë sesa një elefant që hyn në një dyqan qelqurinash.
Ka shumë çështje, po që gjithsesi për t’i dhënë fund arsyetimve tona mund të themi: Çështja e vetingut apo e zgjedhjeve të reja nuk zgjidhet në bulevard. Zyrat e opozitës në krah të Lanës janë nga më të mëdhatë që ka një parti në Shqipëri. Është vend i mirë për t’i sheshuar gjërat dhe për të marrë vendime të matura cilido qoftë rezultati që do të dalë prej tyre.
Ai që shpreson për të kundërtën se mund të shpëtojë nga vetingu apo zgjedhjet e reja, gabon. Evropa dhe Amerika kanë kohë që i kanë ngritur çadrat e tyre të vetingut dhe zor se jua merr era që i fryjnë këtu palët kundërshtare. Po kështu edhe për zgjedhjet e reja. Flekenshteini foli qartë në emër të Evropës. Thua të ngjasë ndonjë e papritur. Mendoj se jo, po kushedi… Në të gjitha rastet vendi i zgjedhur për ndeshje, pavarësisht se kush hyn e del prej, është thjesht pa asnjë garanci fitoreje. / konica.al