Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar ditën e sotme se ai nuk do të kërkojë mandat të dytë qytetarëve nëse nuk përmbush angazhimet e bëra.
Duke theksuar se Shqipëria ka mbetur vendnumëro në këto 8 vite të qeverisë aktuale, kryetari i PD-së i bën thirrje shqiptarëve të bashkohen të gjithë për të larguar kryeministrin Rama dhe për të bërë realitet shpresat e shqiptarëve.
Reagimi i Bashës
Teksti i video-mesazhit:
Të dashur miq, 8 vjet premtime të pa mbajtura, 8 vjet dështime. Shqipëria ka mbetur në vendnumëro.
Familjet tuaja kanë ngecur në baltë, për shkak të dështimeve të Ramës. Asnjë premtim nuk ka mbajtur! Dhe tani, vjen me premtime të tjera, boshe.
Një kryeministër që nuk mban premtimet e tij duhet të largohet. Ne kemi plane serioze dhe të zbatueshme për vendin. Angazhime të cilat do të nisim t’i zbatojmë prej ditës së parë.
Dhe angazhimi ynë i parë është: Nëse nuk i përmbushim angazhimet tona ndaj jush, nuk do të kërkojmë një mandat tjetër.
Ka ardhur koha të bashkohemi të gjithë, për të ndryshuar Shqipërinë. Ka ardhur koha ta largojmë Edi Ramën!
Ta marrim Shqipërinë në duart tona dhe të bëjmë realitet shpresat dhe pritshmëritë e çdo shqiptari.
(E.H/Faxweb.al)