Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë që ka dhënë gjatë kohës kur qëndroi në Shqipëri për idenë e Minishengenit, nuk ka gjetur kurajë të tregojë nëse ai si lider serb do të kërkojë falje për krimet që Serbia i ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovë. “Të gjithë kanë kryer krime”, ka thënë Vuçiç për Euronews të Shqipërisë.
Intervista e plotë:
Si shkoi vizita juaj në Tiranë. Si ndiheni kur vizitoni Shqipërinë?
ALEKSANDËR VUÇIÇ: Ndjeva mikpritje të vërtetë dhe çdo gjë shkoi mirë. Mendoj se patëm një bisedë të frytshme mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Mbeta i kënaqur që Presidenti i Malit të Zi na u bashkua në ditën e dytë të vizitës sonë. Mendoj që çdo gjë shkoi mirë sepse e takuam njëri-tjetrin dhe bëmë shumë gjëra për të mirën e popujve tanë dhe të kombeve tona.
Zoti President Vuçiç, a është Samiti i Ballkanit Perëndimor një mjet për të krijuar një mini Bashkim Europian teksa ai i vërteti duket se i ka mbyllur dyert e zgjerimit për rajonin?
ALEKSANDËR VUÇIÇ: Kjo është një pyetje e vështirë që askush nuk dëshiron që të përgjigjet, por do të thosha që ne bëjmë më të mirën tonë për të përmirësuar standardin e jetesës për njerëzit, cilësinë e standardit të tyre të jetesës. Ne bëjmë më të mirën për të ulur kostot operacionale të tregtisë sonë dhe të të gjitha kompanive të tjera dhe për t’ju thënë të vërtetën, ajo që ne kemi nevojë për të bërë, është të lehtësojmë lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve dhe kjo është ajo që po bëjmë. Përveç kësaj apo pavarësisht kësaj, ne jemi në rrugën drejt Bashkimit Europian, duhet të përmbushim disa detyrime të rëndësishme, duhet të përmbushim axhenda të ndryshme megjithatë kur flasim për Bashkimin Europian, nuk e kemi ne në dorë çdo gjë. Është Bashkimi Europian ai që do të vendosë për të ardhmen tonë. Por kur flasim për veten tonë, gjithçka varet nga vetë ne dhe prandaj duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit dhe të përmirësojmë mjetet për sa I përket të ashtuquajturit iniciativës së minishengenit.
A mund të ketë bashkëpunim, një bashkëpunim të vërtetë mes vendeve të Ballkanit përpara se të kemi pajtim dhe paqe? Sepse ju ende I mohoni krimet e luftës në Kosovë. Deklarata juaj ditën e fundit për masakrën e Reçakut, cili është qëndrimi juaj për të?
ALEKSANDËR VUÇIÇ: Unë nuk kam mohuar kurrë krimet e luftës dhe ne në Serbi, për hir të së vërtetës, kemi dënuar shumë kriminelë lufte që vinin nga Ish-Jugosllavia dhe pavarësisht kombësisë dhe kemi pasur këndvështrime të ndryshme për diçka që ka ndodhur në pjesë të ndryshme të Ish-Jugosllavisë. Kjo është saktësisht arsyeja pse ne duhet të përballemi me këtë problem dhe përse kemi nevojë të krijojmë lidhje dhe marrëdhënie më të mira mes nesh. Ju nuk mund t’i detyroni serbët të pranojnë të gjitha këndvështrimet dhe idetë tuaja.
Jo, ne mund t’ju kërkojmë të pranoni faktet.
ALEKSANDËR VUÇIÇ: Jo, kjo është ajo që ju thoni, ajo që ju mendoni. Ne mendojmë ndryshe.
Komuniteti ndërkombëtar gjithashtu e ka thënë këtë, e ka dëshmuar këtë…
ALEKSANDËR VUÇIÇ: Kjo është hera e katërt që më ndërprisni dhe ende unë nuk i jam përgjigjur pyetjes suaj. Është ok ajo çfarë shumë njerëz thonë , dhe kur flasim për komunitetin ndërkombëtar, ajo që shumë njerëz këtu thonë është që ne duhet të njohim pavarësinë e Kosovës dhe më pas analizojmë se komuniteti ndërkombëtar është i ndarë. Është saktësisht gjysmë për gjysmë. Por e lëmë këtë mënjanë. Mos e dëno dikë për shkak se ai ka këndvështrime të ndryshme për të kaluarën, mundohu ta bësh mik për të ardhmen. Kjo nuk është vetëm këshilla ime personale por diçka që unë ia them çdokujt si një ligjësi politike. Ne duhet të punojmë së bashku, ne duhet të jetojmë së bashku, duhet të krijojmë një atmosferë ndryshe në të cilën, njerëzit nuk duhet të ndëshkohen për shkak të gjuhës që flasim, për shkak të diçkaje që mendojnë ose që e kanë thënë ose që e kanë thënë me zë të lartë dhe që ka qenë ndryshe nga zyrtarët e shtetit apo të qytetit apo të provincës. Duke e lënë këtë mënjanë ne do të krijojmë një hapësirë të gjerë për bashkëpunimin brenda rajonit dhe do të bëjmë gjëra konkrete që do të mundemi për të rritur nivelin e bashkëpunimit dhe të sjellim më shumë investitorë për rajonin tonë dhe për të sjellë njëri-tjetrin më afër drejt të ardhmes.
Një pyetje të fundit. Liderët serbë në të kaluarën e gjetën kurajën për të kërkuar falje për krimet e luftës në Bosnje dhe Kroaci. Mendoni se është koha për ju t’i kërkoni falje shqiptarëve për krimet e luftës në Kosovë?
ALEKSANDËR VUÇIÇ: Ajo që mendoj është se të gjitha palët kanë kryer shumë krime dhe mendoj se ata që i kanë kryer këto krime, kush ka kryer çdo lloj krimi, duhet të mbajë përgjegjësi dhe kjo është ajo që mund të them. Unë nuk kam qenë kurrë një njeri që do të fshihte dikë apo që do t’i vinte turp nga diçka që dikush ka bërë. Unë nuk kam bërë asnjë krim për t’ju thënë të vërtetën. Kush ka kryer, ata njerëz duhet të jenë shumë të përulur, shumë modestë kur i thonë shumë gjëra popullit për të cilin kanë bërë gjëra kundër. Unë nuk kam marrë pjesë në këtë. Por ka shumë njerëz, nuk ka rëndësi nga cila anë, shqiptarë, serbë, kroatë apo boshnjakë që kanë kryer krime dhe kjo është ajo që kemi nevojë për të bërë, duhet të dalim nga kjo periudhë kohore dhe të krijojmë një të ardhme të ndryshme dhe shumë më të mirë për ne.
Kritikët tuaj më të mëdhenj thonë se ju i keni mbështetur ato krime, keni qenë makineria e propagandës
ALEKSANDËR VUÇIÇ: Unë nuk e kam bërë kurrë këtë dhe nuk e kam thënë kurrë këtë por nëse ju thoni kështu, nëse është më e lehtë për ju, nëse kjo do ishte arsye e mjaftueshme për të mbështetur në një farë mënyre teoritë tuaja konspirative, ju uroj më të mirat.
Për sa i përket dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit…
ALEKSANDËR VUÇIÇ: Pyetja juaj e fundit ishte dy apo tre minuta më parë.