Artistët janë mbledhur sërish për të protestuar kundër shembjes së gidinës së Teatrit Kombëtar, pas zbulimit të një projekt ligji, që i hapte rrugën shembjes se godinës.
Në protestë kanë marrë pjesë edhe aktorët e mëdhenj Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi. Ndrenika në fjalën e tij tha se nuk merret vesh se çfarë po bëhet, duke i kërkuar Prokurorisë që të hetojë.
“Nuk marr vesh se çfarë po ndodh. Kemi qenë tek presidenti dhe na ka dhënë shumë të drejtë, kemi qenë dhe tek kryetari i Kuvendit na ka dhënë të drejtë, dhe opozita është me ne. Kam përshtypjen se dhe shumë nga partia socialiste janë me ne. Vetëm Erdogani i bën këto punë, duhet që të ulemi në bisedime. I bëj thirrje dhe Prokurorisë që të hetojë, ç’janë këto preferenca”. ka thënë ndër të tjera Robert Ndrenika.
Ndërsa aktori Mirush Kabashi u ngjit në podium dhe në vend të një fjlaimi mbajti një poezi shumë të njohur për shqiptarët për të shprehur dhimbjen për gjendjen ekzistuese. Fjalën e tij e ka përcjellë me anë të një poezie të Ali Asllanit.
“Koha është e maskarenjve, por Shqipëria dhe teatri janë të tonat, janë të shqiptarëve”, ishte kjo një nga vargjet e recituara nga Kabashi.
Aktori Arben Derhemi në fjalën e tij ka shpëthyer kundër kryeministrit Rama. Duke e paralajmëruar se godina e Teatrit Kombëtar do të mbrohet me çdo çmim.
“Kam përshtypjen që jeni shumë të butë. Nuk ka më vend për të qenë njerëzorë, nuk ka më vend për të qenë ne njerëzit që marrim përsipër të shkojmë të bisedojmë, jemi ne që të duhet marrim në dorë fatet e këtij teatri, ne dhe të gjithë qytetarët. Ky teatër nuk do të shembet! O kryeministër që të gënjen mendja që je dikushi, që mund të bësh ç’të duash me teatrin. Të gjithë bashkë ne do shkojmë në grevë urie. Vetëm mbi trupat tanë do e shembni. Dhe nuk e kujtoj ku janë aktorët e tjerë. Ça ju ka ngelur më t’ju bëjë drejtori juaj? Ça ju ka ngelur më t’ju bëjë kryeministri juaj? Ore njerëz a jeni në vete apo nuk jeni? Deri ku do shkojmë ore? Do na përdhunojnë ndonjë ditë more!! Nuk ka më vend për tolerancë, e vetmja rrugë është lufta. Tashmë merrni hunjtë shokë dhe ky teatër do mbrohet me gjak, do apo nuk do firma, apo nuk do kryeministri”, tha ndër të tjera Arben Derhemi.
(B.H/Faxweb)