Minstrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri i Mjedisit, Blendi Klosi kanë zhvilluar një vizitë në kuadrin e platformës së bashkëqeverisjes në Kolonjë.
Burime për Faxweb.al bëjnë me dije se vizita e tyre është bojkotuar në masë nga qytetarët ndërkohë në videon e mëposhtme ministrja Balluku duket sikur i “shfryn nervat” mbi interesin e gazetarëve.
Burimet bëjnë me dije gjithashtu se të pranishëm në takimin e dy ministrave kanë qenë vetëm punonjës të administratës nga Gjirokastra, ku përfshihen drejtori i OSHEE, drejtori i Pyjores, drejtori i Zonave të Mbrojtura si dhe një numër prej 10 personash nga banorët e zonës.
Në nisje të takimit, Balluku ka refuzuar të prononcohet për mediat dhe këmbëngulja e gazetares së FaxNews, Ervina Shehaj për ti marrë ndonjë deklaratë me sa duket e kanë nervozuar atë duke i’u drejtuar me fjalët: “Pse bërtet”.
Ndërkohë që ky takim bëhet në një kohë kur qytetarët e Kolonjës kundërshtojnë ndërtimin e një HEC-i në këtë zonë prej disa ditësh.
Fax News disponon shkresën paraprake për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të këtij projekti energjitik. Por banorët e fshatit kanë dalë kundër, me pretendimin se HEC-i do të shfrytëzojë të vetmin burim ujor që ka fshati.
‘HEC Kolonja’ do të ndërtohet nga kompania ‘E.T.T. GROUP AUTO” Sh.p.k, me administrator Ollga Gjokaj, e cila është aktualisht drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional Nr.4 në Tiranë.
Ndërkohë më datë 15 shkurt dhe me datën 6 prill në fshatin Kolonjë nga banorët vendas organizuan edhe protesta ku u kërkua anulimi i këtij HEC-i. Ata e kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it me pretendimin se do të dëmtojë burimin e Rehovës, i cili furnizon me ujë fshatin.
(F.GJ/FAXWEB.AL)