Reshjet e vazhdueshme të borës kanë shkaktuar një sërë problemesh si në qarkullimin e automjeteve dhe banorëve, ashtu edhe në furnizimin me energji elektrike.
Një ndër qarqet e prekura është edhe ai i Gjirokastrës, ku Prefekti Astrit Aliaj po zhvillon takim me drejtuesit administrativë të këtij Qarku dhe nënkryetarin e Bashkisë.
Ndërkohë që janë paraqitur 5 raste të bllokimit të banorëve, si në Pogon, Golem, Picar e Glinë, Prefekti shprehet se kërkesat duhet që fillimisht të adresohen në Bashki, pasi edhe taksat derdhen atje. Sipas tij, Bashkia duhet të kishte marrë masa paraprakisht.
“Vetë njësitë Administrative, dhe vetë Bashkitë, janë ato që janë përgjegjëse për çdo situatë të krijuar në Qark. Pra në qoftëse një drejtor kërkon ndihmë nga prefekti, në radhë të parë duhet t’i drejtohet Bashkisë ku ai është i regjistruar, ku ai derdh taksat. E kam ngritur disa herë. E shikojnë Prefekturën sikur ka çdo gjë në dorë., prandaj do të doja edhe dikutimet tuaja. Këto janë probleme që kanë të bëjnë me masat që keni marrë ju që në fillim të vitit”, – u shpreh Prefekti.
Nga ana tjetër, gjatë mbledhjes është ngritur shqetësimi edhe për transportin e të sëmurëve me dializë, të cilët duhet të shkojnë një herë në dy ditë në spital, por që ambulancat e kanë të pamundur pët të kaluar në rrugët e brendshme të qytetit.
Edhe në Libohovë situata paraqitet e rëndë, ku nënkryetari i kësaj Bashkie, është shprehur se nuk ndërhynë dot në Zagori pasi do kohë dhe kanë vetëm një makinë.
(B.B/ Faxweb.al)