Pas lajmit nga Zëri i Amerikës se ish-Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe anëtarëve të familjes së tij, iu është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga DASH, një video është duke bërë xhiron e rrjetit.
Në video paraqitet vetë Dako, i cili përballë akuzave ndaj tij për shit-blerje votash dhe lidhje me persona të korruptuar dhe inkriminuar, duke tentuar të shfajësonte veten në një dalje të tij televizive në Opinion, shprehet se nuk kishte lidhje me krimin dhe se duart e tij ishin akullore.
Duke mos i pranuar akuzat, ndërsa shtonte se nuk ishte përlyer në asnjë aferë të dyshimtë, Dako ndër të tjera thotë se: “Nuk mund të dalë kreu i opozitës dhe të thotë të arrestohet kreu i Bashkisë së Durrësit, unë jam njeri dhe kam ndjenja, por mbi të gjitha kam dhe familje. Unë jam njeri me reputacion jo vetëm në Durrës, por në të gjithë Shqipërinë. Unë jam akullore, duart e mia janë akullore të pastërta dhe jo si kreu i opozitës që i ka me gjak dhe të zeza”.
Kujtojmë se, paraditen e sotme Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur “non grata” Dakon dhe familjen e tij, ndërsa për këtë fakt ende nuk ka një reagim të kryeministrit Rama, i cili disa herë, përfshirë këtu edhe në fushatën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, pavarësisht provave të forta me audio-përgjimet e Bild, do të shprehte mbështetjen e tij për kryebashkiakun socialist të qytetit bregdetar Vangjush Dakon.
Për më tepër ndiqni videon e mëposhtme: