Kamera e Fax News është rikthyer në fshatin Bubq të Fushë Krujës ku ka kontaktuar familjarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit e për pasojë kanë braktisur banesat e tyre për shkak se janë shkatërruar plotësisht ose pjesërisht, por që përbëjnë rrezik në këtë rast për të jetuar brenda.
Ndërkohë që kanë mbetur edhe disa orë nga nata e ndërrimit të viteve, njëri nga banorët, kryefamiljar i një familjeje me 4 persona, rrëfen atë çfarë përjetuan atë mëngjes të kobshëm, ndërsa tregon se me aq mundësi sa kanë dhe në ato kushte që ndodhen, do ta festojë Vitin e Ri, madje në njërën nga dhomat e banesës pothuajse të shkatërruar, ka vendosur edhe bredhin.
Ai shprehet se 4 ditë pas tërmetit ka marrë një çadër nga Emergjencat Civile, ndërsa aty ka zhvendosur edhe disa nga orenditë shtëpiake.
“Ne ishim zgjuar kur ra një tërmet i lehtë rreth orës tre, ndërsa pak minuta më vonë ra një tjetër tërmet por me forcë të madhe i cili shkatërroi gjithçka. Për punë momentesh shtëpia u bë e pabanueshme. Kur ra tërmeti i fuqishëm djali ka qenë shumë pranë gurëve që kanë rënë. Me shumë vështirësi kemi hapur derën dhe kemi dalë jashtë. Pas asaj dite lëkundjet kanë vijuar vazhdimisht. Kanë ardhur të komunës dhe inxhinieri i bashkisë ku na kanë thënë që mos i krijoni besim për të qëndruar brenda. Jemi 4 pjestar dhe tani jetojmë në një çadër të sjellë nga Emergjencat Civile. Por bën shumë ftohtë, jetojmë me vështirësi”, tha ai.
Kishit pemën e vitit të Ri, ju do ta festoni?
“Meqë shpëtuam, meqë desht Zoti, me kushte të vështira siç na shikon do mundohemi të festojmë”. Ndërkohë familjari futet në dhomën e banesës së shkatërruar dhe tregon bredhin e Vitit të Ri, por këtë e ka bërë sepse nuk kishte vend të mjaftueshëm në çadër për ta vendosur.
Jetën e sigurojmë me 400 mijë halle, me bujqësi, blegtori çfarë të mundemi. Pas tërmetit këtu ka rënë stuhi që ka përmbytur të mbjellat dhe pasojat kanë qenë të konsidrueshme. Ne nuk lergohemi nga këtu, kam rrethanat e tilla, kam kafshët shtëpiake. Presim nga shteti nëse ka mundësi të na ndihmojë dhe të na nxjerrë nga situata. Unë nuk kam mundësi vetë ta rregulloj, kjo është bërë e pabanueshme”, tha banori.
(F.GJ/FAXWEB.AL)