Dy shpërthime të fuqishme janë dëgjuar mbrëmjen e kaluar në autostradën Lezhë-Laç, në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Shënkollit” nga ku më pas, janë parë flakë të dendura që kanë përfshirë një pikë karburanti.
Ndërkaq policia ka dhënë detaje se mbi personat e plagosur dhe se çfarë ka ndodhur në vendngjarje.
“Më datë 24.08.2019, rreth orës 22:10, në aksin rrugor Lezhë – Milot, në kryqëzim të Shënkollit, në një karburant, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve.
Për pasojë janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz, shtetasit B.B. vjeç 36, A.B. vjeç 33, D.B. vjeçe 33, 2 vajza të mitura 5 dhe 2 vjeçe dhe dy punonjës pranë karburantit, shtetasit N.P. vjeç 40 dhe P.L. vjeç 31, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara.
Shtetasit N.P. dhe B.B. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit. Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve nga perimetri i sigurisë, si dhe bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj.”-njofton policia.
Njëri nga punonjësit e barit, dëshmitar që pa shpërthimin ka treguar për Fax News se si ndodhi ngjarja.
“Fillimisht ka shpërthyer depozita, më pas ka marrë flakë automjeti me gaz ku ka ndodh edhe shpërthimi i dytë. Shkak sipas tij ka qenë një luhatje e energjisë elektrike. Të plagosur janë dërguar dy punonjës të karburantit në Tiranë, të cilët kanë marrë edhe dëmtime të shumta, por janë jashtë rrezikut për jetën. 4 persona të tjerë kanë marrë lëndime të lehta dhe janë në spitalin e Lezhës.”- u shpreh dëshmitari.
(M.Q/Faxweb.al)
Discussion about this post