Për darkën e shumëpërfolur të orëve të fundit Rama-Meta, për të cilën ende nuk ka asnjë informacion se çfarë u vendos, qarkulluan menjëherë pamjet e para, fillimisht të gardistëve që prisnin kryeministrin dhe kryetarin e LSI-së deri tek daljet e tyre veçmas nga darka me peshk që zgjati rreth katër orë.
Në video shihen se si gardistët me mjetet “S Clas” të zeza presin në mes të rrugës tek Pazari i Ri, e më pas parkojnë në anë të saj, pasi u kuptua se bëhej fjalë për një takim të gjatë. E në fund fare, kryetari i PS-së, Edi Rama shihet tek del nga restoranti i buzëqeshur duke shkëmbyer disa fjalë me shoqëruesin e tij në këtë darkë, kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj.
Pak minuta pas tij Ilir Meta shfaqet duke lënë restorantin e peshkut së bashku me ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili.
Pavarësisht se kanë kaluar mbi 12 orë nga kjo darkë ende nuk ka një qëndrim zyrtar mbi fatin e koalicionit, megjithatë ashtu si bënë me dije burime për “Shuplaka”, ajo ka qenë tema kryesore e takimit.
Kreu i PD-së, Basha u shpreh mbi darkën se “peshku është qelbur nga koka me kohë”, ndërsa Luan Rama vuri në pikëpyetje arritjen e një marrëveshje për vazhdimësinë e koalicionit.
(XH.A/SHUPLAKA)