Kryeministri Edi Rama ka nisur takimin e tij me kancelaren gjermane Angela Merkel në kuadër të organizimit të konferencës së donatorëve që do të mbahet në datën 17 Shkurt, dhe ku pritet të grumbullohen ndihma për tërmetin e 26 Nëntorit që goditi Shqipërinë.
Takimin e ka paralajmëruar vetë kryeministri shqiptar, i cili gjatë ditës së djeshme shkruante në rrjetet sociale: “Për në Berlin për takimin me Kancelaren Merkel, enkas për Programin e Rindërtimit në vigjilje të Konferencës së Donatorëve, që do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt”.
Pas takimit mes dy krerëve të qeverive pritet të ketë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Merkel dhe Rama do ti përgjigjen interesit të gazetarëve.
Pavarësisht se takimi është fokusuar kryesisht te çështja e tërmetit, jashtë diskutimeve nuk do të mbetet padyshim dhe ecuria e Shqipërisë me prioritetet e vendosura nga Bundestagu, në mënyrë që të mund të çelë negociatat e anëtarësimit në BE.
Një nga hapat e parë që është bërë në këtë kuadër, është ulja në tryezën e përbashkët të partive të opozitës dhe mazhorancës, brenda dhe jashtë Parlamentit.
Në një vizitë që pati së fundi në Itali, Rama deklaroi se dëmi paraprak nga tërmeti i 26 Nëntorit llogaritet të jetë rreth 1 miliardë euro, një pjesë e të cilës do të mbulohet nga vetë buxheti i shtetit.
(E.K/Faxweb.al)