Një ditë historike për tifozët e Barcelonës. Xavi Hernandez është prezantuar si trajneri më i ri i klubit blaugranas.
Një nga lojtarët më të mirë në historinë e Barçës merr përsipër një detyre mjaft të vështirë në një situatë shumë të komplikuar. Pritshmëritë nga ish-mesfushori janë të mëdha, megjithëse vjen në një moment shumë të vështirë, më i vështiri në sport dhe ekonomi kohët e fundit te Barcelona.
Ditën e sotme, 42-vjeçari është prezantuar si trajner i Barçës duke thënë dhe fjalët e tij të para për detyrën e re.
Deklarata për mediat:
“Ka qenë një rikthim shumë i shpejtë, ka ndryshuar jetën tonë në tre ose katër ditë. Përgëzoj gruan time e cila sot mbush 40 vjeç. Do të jap jetën time që kjo të funksionojë.
Presidenti më thërret dhe unë jam i zgjedhuri. Kisha një pengesë, por të gjithë bëmë pjesën tonë për ta zgjidhur. Pritshmëritë janë të mëdha dhe do të shohim në vazhdim.
Në ekip ka talent, do të përpiqem t’ua transmetoj përvojën time lojtarëve për të fituar tituj. E njoh Barçën, klubin, është një moment delikat në historinë e klubit, ekonomikisht dhe futbollistik, duhet të lëmë mënjanë ankesat dhe të shkojmë të gjithë së bashku.
Mesazhi i parë është që unë jam këtu për të ndihmuar klubin. Për mua është një avantazh të njoh Buskets, Pike, Alba, Serxhi Roberto dhe Ter Shtegen, të cilët i kam pasur dhe shok skuadre. Mendoj se është avantazh që ne njihemi qëkur kemi luajtur bashkë.
Jam i përgatitur, më pëlqejnë sfidat. Objektivi është që të ndihmojmë dhe të fitojmë së bashku. Unë u jam mirënjohës tifozëve për dashurinë e tyre, shpresoj ta kthej këtë iluzion me tituj ose të paktën me punë në këtë vit të parë”, u shpreh Xavi.