Spanja është skuadra kampione e evropianit të U-21 të zhvilluar në Itali pasi ka mposhtur Gjermaninë me rezultatin 2-1 në Dacia Arena të Udineses.
Për të pestën herë dhe të tretën herë në pesë vitet e fundit, Spanja ka fituar UEFA Euro U-21.
Dy skuadrat më të mira të turneut janë vënë përballë njëra-tjetrës në finalen e madhe dhe mbase falë eksperiencës më të madhe, spanjollët e kanë fituar këtë ndeshje.
Gjermania ishte padyshim skuadra që ka luajtur futbollin më tërheqës dhe na ka prezantuar me talente si Richter apo Waldschmidt, ndërsa Spanja e cila ka vuajtur në grupe, është përmirësuar në fazën e nokautit dhe në finale ka qenë më e qetë dhe precize.
Ishte ylli i Napolit Fabian Ruiz ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 7’ të takimit. Goli i mesfushorit i dha një avantazh të madh spanjollëve të cilët mund të luanin më të qetë teksa presioni ishte mbi gjermanët.
Spanjollët luanin mirë, si me topin në zotërim, si pa të. Dhe në minutën e 69’ erdhi goli i “nokautit” i shënuar nga Dani Olmo.
Në fund të takimit Gjermania ngushton diferencën me një gol të bukur nga distanca i shënuar nga Amiri, edhe ky një zbulim i turneut, por koha nuk ishte e mjaftueshme për të përmbysur rezultatin.