Fotoreporteri Arben Dajçi ka folur sot për Fax news për dhunën që u ushtrua ndaj tij mbrëmjen e së shtunës gjatë protestës së opozitës.(lexo ketu).
Dajçi merr pjesë në protestat e opozitës si demokrat në bindje dhe si fotoreporter për të kryer punën e tij që të paraqesë realitetin.
Ai u shpreh se u dhunua nga Policia gjatë momentit që ai ndodhej mes turmës.
”Në momentin që u godita isha mes turmës dhe policisë. Nuk i ndjeva, vetëm kur më thanë shokët je gjakosur. Goditja ishte nga ana e Policisë. Ishte aq e shpejtë goditja sa nuk u arrit as të filmohej.” tha Dajçi.
Ashtu si dhe persona të tjerë Dajçi mbështet linjën që mes protestuesve të opozitës ka të infiltruar nga Policia dhe se ka shumë nga ata që nxisin gjakrat.
“Mund të ketë pasur dhe civilë të futur nga Policia sepse ata bënin veprime të dykahshme, shtynin dhe popullin dhe Policinë. Këto persona futeshin mes dy turmave. Protestën tjetër unë këta të infiltruar do i filmoj.” u shpreh fotoreporteri.
Lidhur me gazin lotsjellës që policia hodhi për të shpërndarë protestuesit, Dajçi thotë që ai u dëmtua shumë nga ky veprim pasi ka pasur kontakt të drejpërdrejtë me lëndën toksike.
“Kam pasur shumë problem shëndetësore që pas hedhjes së gazit lotsjellës. Jam dëmtuar sepse si fotoreporter kam qenë më i predispozuar, kam qene në vijë të parë.”
Pyetjes së gazetares së Fax news nëse ai është goditur qëllimisht, ai thotë që nuk mund ta pohojë këtë fakt sepse nuk ka prova.
Në fjalën e tij ai thotë gjithashtu që pas momenteve të plagosjes ai dhe shokë të tjerë të tij nuk kanë pasur ndihmë nga ambulanca. Ai shton gjithashtu që sipas mjekëve plagët e tij do mbylleshin më shpejt nëse do kishte shkuar më parë në spital.
“Ambulanca nuk na erdhi në ndihmë në moment por na thanë të shkonim në spital. Ambulanca nuk ka hyrë në territorin ku po zhvillohej protesta që të na ndihmonte.
Për momentin po mjekohem dhe në shtëpi. 50 % e plagës është mbyllur dhe për faktin që nuk shkova në kohë, mund të ishe bërë shërimi më shpejt.”, vijoi më tej Arben Dajçi
Ai shton se është mbështetur nga kurajuar nga deputetë të ndryshëm dhe se do të vazhdojë të marrë pjesë në protestë si demokrat dhe si fotoreporter.