Piktori Gazmend Leka i ftuar në emisionin “Oda” në Fax News, foli për ekspozitën e tij “Hapet e humbur”.
Ndër të tjera Leka është pyetur nga gazetarja Edona Haklaj edhe për vëmendjen e institucioneve shtetërore në pikturë, ku deklaroi se vëmëndje është “Zero”.
Piktori Leka shtoi se Galeria Kombëtare është kthyer në një arkivol dhe nuk ka asgjë. Sipas tij veprat e tyre qendrojnë në bodrum dhe nuk shfaqen për publikun, ndërkohë që janë vetëm disa vepra të realizmit socialist.
“Sa i përket pikturës, situata është shumë e keqe. Shqipëria ka një Galeri Kombëtare e cila është zero. Është një arkivol asgjë më shumë. Po të hysh në Galerinë Kombëtare do të shohësh disa vepra të realizmit socialist dhe nga vitet ’90 e këtej duket sikur aty ka rënë bomba dhe nuk ka asnjë piktor. E kam thënë gjithmonë duket si Zombi edhe jemi të gjallë edhe jemi të vdekur. Veprat tona janë në bodrumet e Galerisë Kombëtare dhe nuk i shfaqin. Vijnë tursitë dhe thonë pse vetëm arti realist është, nuk jeni ju gjallë!?
Ndihma e institucioneve shtetërore është zero. Ndoshta për herë të parë, ka ardhur ministrja e Kulturës në ekspozitën time, për mua është një vizitore. Por unë dy fjalë duhet t’ja thoja për këtë masakër të tmerrshme. Galeria Kombëtare është bërë copë. Unë e shoh shumë të errët dhe asnjë perspektivë. Nuk e kam fare nevojën e shtetit, sa herë bëj ekspozita. Por shtetit të paktën për artistët duhet ti promovojë dhe të investojë. Studentët e mirë nuk po i shoh, ia mbathin, po ikin të gjithë. Është një tmerr! Me çfarë do ta mbushësh Shqipërinë, me kinezë?! Të zbrazësh vendin tënd, është një turp i madh. Në vend që të ka dhënë pasuritë më të mëdha zoti.”- u shpreh Leka.
(M.Q/Faxweb.al)