Një pjesë e mirë e banorëve në qytetin e Krujës nuk preferojnë ujin në çezmat e tyre. Uji i pijshëm duket se është bërë i frikshëm për disa qytetarë. Kujtojmë se në muajin tetor të vitit të kaluar uji në çezmat krutane rezultoi i ndotur, disa banorë që konsumuan nga uji i ndotur janë infektuar dhe u krijua një situatë problematike, madje e frikshme.
Pas afro dy javësh spitali i Krujës ishte i tejmbushur nga të prekurit me infeksionin e ujit të ndotur, ndërsa nisi pastrimi i depozitave të ujit në qytet.
Që nga ajo kohë, banorët e Krujës janë furnizuar me ujë por Bashkia ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht konsumin dhe ata detyrohen ta blejnë ujin në markete.