Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau është përfshirë në një incident në takimet e fushatës elektorale, ku është sulmuar nga një grup protestuesish.
Trudeau po kthehej me autobusin e tij të fushatës pasi kishte vizituar një fabrikë birre kur u godit me gurë të vegjël gjatë një ndalese, por fatmirësisht nuk pësoi lëndime nga incidenti. Gurët prekën dhe dy anëtarë të stafit mediatik, që po ashtu nuk morën lëndime.
Udhëheqësi i Partisë Konservatore në opozitë, Erin O’Toole, e përshkroi incidentin si të neveritshëm.
“Dhuna politike nuk justifikohet kurrë dhe media jonë duhet të jetë e lirë nga kërcënimet dhe dhuna”, tha ai.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka shpallur zgjedhje të parakohshme në muajin Gusht dhe synon të fitojë shumicën qeverisëse me partinë e tij Liberale të qendrës së majtë.
Mirëpo fushata elektorale i është dëmtuar për shkak të protestave të qytetarëve që kundërshtojnë vaksinimin e detyrueshëm për disa kategori dhe kufizime të tjera anti-Covid. Para 1 jave, Trudeau u detyrua që të anulonte një tubim elektoral për shkak të protestave të ngjashme.
Muajin e kaluar, qeveria kanadeze njoftoi se të gjithë nëpunësit civilë duhet të vaksinohen deri në fund të muajit Tetor, ose rrezikojnë që të humbasin vendin e punës.
Aktualisht Kanadaja është një nga vendet me numrin më të madh të personave të vaksinuar.
(E.K/Faxweb.al)