Është identifikuar 45-vjeçari që u gjet i vrarë në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Viktima sipas burimeve policore është Martin Ndreca, me origjinë nga Lezha dhe me banim në zonën ku u gjet i vrarë.
Ndërkohë që autori i vrasjes është 37-vjeçari Ndue Zefi, i cili është shpallur në kërkim nga ana e policisë. Mësohet se mes viktimës dhe autorit ka pasur një konflikt banal në një nga lokalet e lagjes, që më pas ka çuar në ngjarjen e rëndë, ku Ndreca u vra brenda mjetit të tij.
Mësohet se viktima dhe autori njiheshin me njëri-tjetrin, madje para vrasjes kishin qenë të ulur bashkë në lokalin e lagjes, aty ku edhe ka nisur konflikti mes tyre teksa pinin.
Në vendngjarje janë gjetur 5 gëzhoja të qëlluara nga një automatik, ndërsa në trupin e viktimës është gjetur një plumb, në zonën e shpatullës.
Njoftimi i policisë:
Më datë 24.02.2019, rreth orës 01:10, në lagjen Ish Kënetë, shtetasi N.Z. 37 vjeç, për motive të dobëta dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin M.N., 45 vjeç, banues në kete lagje.
Autori i dyshuar pas krimit është larguar menjëherë dhe është shpallur në kërkim. Policia po punon për kapjen e tij.
Grupi Hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave te kësaj ngjarje.
(E.K/FAXWEB.AL)