Policia e Shtetit, përmes Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Operacionalja 42”, duke vënë në pranga në Lushnjë një shtetas të shumëkërkuar nga drejtësia italiane.
Në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe strukturat homologe të Interpol Romës, u arrestua 57-vjeçari Fatbardh Haxhiu, i njohur edhe si Bardhyl Haxhiu, banues në Lushnjë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Napolit e kishte dënuar në vitin 2008 me 24 vite burgim, për përfshirje në një organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Haxhiu akuzohet për trafikimin e sasive të mëdha kokaine (15-130 kg) në zonën e Caserta-s, Itali, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë. Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me autoritetet italiane për përfundimin e procedurave të ekstradimit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 42”.
I dënuar nga autoritetet italiane, me 24 vjet burgim, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike, kapet në Lushnjë, 57-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve, me partnerët italianë, nëpermjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 42”, lokalizuan në Lushnjë, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin:
Fatbardh Haxhiu alias Bardhyl Haxhiu, 57 vjeç, banues në Lushnjë.
Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, Itali, në vitin 2008, e ka dënuar me 24 vjet burgim, për veprën penale “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë, ka trafikuan sasi kokaine 15 – 130 kg, në Caserta, Itali.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë, për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.