Këshilltari i djathtë në Bashkinë e Tiranës Akil Kraja, i ftuar në studion e televizionit Fax News, ka folur rreth vendimit të Gjykatës së Tiranës, ku e dënon atë për shpifje ndaj Veliajt me 250 mijë lekë gjobë.
Ai u shpreh se gjyqet për shpifje janë një qasje diktatoriale, ku Erion Veliaj po tenton të censurojë fjalën e lirë dhe të vërtetën. Sipas tij, kryebashkiaku denjon të përballet me Këshillin Bashkiak, dhe furnizon me kaseta të gatshme televizionet.
Kraja tha Veliaj u ka mbyll çdo mundësi debati dhe përballje pasi nga një herë në muaj që mblidhej Këshilli Bashkiak, Veliaj e ka çuar në 1 herë në tre muaj dhe kur këshilltarët e djathtë dalin në konferencë për shty dënohen për shpifje,
“Kemi një kryetar Bashkie shpirtëirh të turbulluar, në një kohë kur shqiptarët largohen, vuajnë papunësinë dhe një çmim uji në Tiranë me 40% të shtrenjtuar, dhe kryetari bën viktimën. Pra është një lloj cinizmi, nga një kryetar që jeton në një botë paralele dhe i furnizon mediat me kaseta të gatshme duke u shndërruar në mjet propagande.
Ky gjyq nuk konfirmon asgjë tjetër, por vetëm se kemi të bëjmë me një makineri, që nuk pranon të përballet me qytetarët. Erion Veliaj fjalën e fundit e thotë të parën”, tha Kraja.
Sipas këshilltarit të djathtë, “Ai vetë thonte se po bisedojmë për privatizimin e UKT-së por nuk do të rritet çmimi i ujit. Pavarësisht kësaj ai e rriti çmimin e ujit me 40 %.
Ne po presim që të zbardhet teksti i vendimit. Por duhet thënë se ai gënjeu publikisht. Gënjeu se nuk do të rritet çmimi i urbanit dhe ai u rrit. Gënjeu kur tha se nuk do të rritet çmimi i ujit, por sërish u rrit. Tha se nuk do të ketë ndërtime, por ato vijojnë. Tha nëse do të pritet një pemë tek parku i liqenit, ai do të jepte dorëheqje, por të gjithë e dimë çfarë ka ndodhur”.
Më tej ai akuzoi teksa tha: “Kemi një kryetar batakçi. Kryetari i Bashkisë ka të njëjtin avokat të Taulantit nga Librazhdi. Pra është një gjyq politik. Partia Socialiste po tenton ti tregojë publikut se po tentove të thuash të vërtetën do të dënohesh”.
Duke u ndalur tek vendimi i Veliajt që me paratë e përfituar nga gjyqi për shpifje do të blinte kompjutera për një nga shkollat në Kryeqytet, tha se kjo është shpifje, pasi ende nuk kanë përfunduar të gjitha hallkat e gjyqësorit, ndërsa paralajmëroi që ta çonte në apel vendimin e Gjykatës së Tiranës.
(B.B/ Faxweb.al)