Një incident i rëndë është shënuar këtë mesditë në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, ku një konflikt mes disa personave ka ndodhur në ambientet e një zyre elektorale.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, ndërsa policia është njoftuar menjëherë përmes një telefonate në sallën operative të DVP Tiranë.
Sipas informacionit paraprak të bërë publik nga policia, gjatë këqyrjes së vendngjarjes është konstatuar dëmtimi i xhamit të zyrës, dyshohet si pasojë e goditjes me sende të forta. Gjithashtu, janë gjetur dy fishekë luftarak, çka ngre dyshime për përfshirje të mundshme të armëve të zjarrit në konflikt.
Forca të shumta policie dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Autoritetet janë në kërkim të personave të përfshirë, të cilët janë larguar me një automjet ende të paidentifikuar.
Ndërkohë po vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit si dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral.Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak.
Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e motivit të konfliktit dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.