Korrigjimi i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës ka qenë një nga debatet më të nxehta politike të kësaj vere.
Ditën e sotme në një deklaratë për mediat Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se synimi i shtetit të Serbisë është që të fitojë diçka më shumë nga ajo që ka tani Serbia.
Sipas Vuçiçit është e qartë që kjo do jetë një zgjidhje mjaft e vështirë për të gjithë. Ai po ashtu ka thënë se dëshiron që qytetarëve serbë në Kosovë t’ju ofrojë stabilitet.
Për këtë çështje dhe jo vetëm, sot ka qenë i ftuar në studion e Fax News kreu i grupit pralamentar, Petrit Vasili, i cili ka folur mbi çështjet e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe konkretisht për heshtjen e politikës shiptare ndaj kësaj teze të hedhur.
“Thelbi i këtij debati është shumë delikat, me shumë intrepretime të dukshme dhe të padukshme dhe së fundmi e bën një debat të gabuar në kohën e gabuar. Kosova pak kohë më parë mori lajmin për liberalizimin e vizave dhe besoj se të gjitha energjitë politike duhet të ishin të përqëndruar në këtë pikë.Përsa i përket këtij debati unë kam reaguar si poltikan dhe si atdhetar, për tiu përmbajtur çështjes politike. Kosova e pavarur ka qenë thelbi kryesor për të gjithë ne ku pavarësia e saj erdhi nga kontributi ndërkombëtar. Tani të korrigjosh kufijtë, do të thotë ta tjetërsosh Kosovën”
Sipas Vasilit nuk mund të ketë korrigjime të kufijve dhe territoret duhet të mbrohen me çdo kusht.
Sipas tij Kosova është rritur shumë në aspektin politik dhe ekonomik, duke deklaruar se gjithmonë ka qenë e gatshme për të rritur në të gjitha aspektet e saj dhe është një shembull i mirë për tu ndjekur.
“Unë nuk jam nga ata që beson tek fjala korrektim dhe harta e Kosovës është atje, çdo centimetër e lëvizur nuk është më Kosova dhe gjithçka e fituar do të humbasë me ndryshimin qoftë të një milimetri.
Nëse ndodh plani për korrigjimin e kufijve, atëhere Kosova do të humbasë atë që ka fituar me shumë luftë. Kosova është e pjekur poltikisht, ka një mdodel të përcaktuar, duke vendosur disa elemente të rëndësishme të cilat janë unikale. Çdo cënim i këtyre standardeve do të thotë kthim pas në kohë” ka deklaruar ai.
(E.V/Faxweb.al)