Pas përmbysjes javën e kaluar, Kukësi ia ka dalë që të marrë sërish tre pikë të plota duke mundur Laçin në “Elbasan Arena” me gol të shënuar nga William. Ndërsa në përballjen tjetër që u zhvillua në Krujë, Luftëtari ka fituar me rezultatin e pastër 0-2, teksa ka mundur Kastriotin.
Një ndeshje relativisht e barabartë, teksa ka pasur edhe raste për gola, por verilindorët kanë qenë ata që kanë hipotekuar tre pikë të plota. Shafik ka mundur që të vertikalizojë një top fantastik në zonë në minutën e 60’ të takimit, duke nxjerrë të vetëm sulmuesin brazilian, Uilliam Kordeiro Melo, i cili nuk gaboi përballë “gardianit”, Gentian Selmanit, shkruan SportPlus.
Me këtë fitore, Kukësi arrin që të ngjitet në vendin e katërt, duke lënë pas Laçin dhe Flamurtarin. Ndërsa skuadra e Mergjyshit kuoton 16 pikë, tre më pak se nënkampionët e Shqipërisë. Nga ana tjetër, Luftëtari hipotekoi tre pikë të merituara, që kanë mjaftuar të dalë nga zona e ftohtë.
Pas humbjes në javën e kaluar përballë Partizanit, skuadra gjirokastritet më në fund arrin që të shoh dritë, edhe pse kësaj radhe në transfertë. Golat u shënuan nga dopieta e Shkurtaj, i cili i dha fitoren skuadrës së tij vetëm në pjesën e dytë. Ky është një lajm i keq për Kamzën e Klodian Duros, e cili futet në zonën e “ftohtë”.