Bomba molotovë dhe benzinë janë hedhur pak minuta më parë drejt kryeministrisë.
Që në momentet e para të protestës së katërt kombëtare të opozitës, qytetarët kanë çarë gardhin e vendosur nga policia, dhe duket se situata është edhe më e tensionuar se herët e tjera.
Menjëherë pas pamjeve të flakëve, fjalën përpara qytetarëve e ka marrë kryedemokrati Lulzim Basha.
Flakët kanë pushtuar dhe një pjesë të kryesisë së Kuvendit, që ndodhet në anën tjetër të Bulevardit. Sakaq punonjësit e policisë kanë vendosur maskat e gazit, ndërsa nga brenda kryeministrisë po hidhet ujë. Derimë tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Kjo është protesta e katërt kombëtare e cila zhvillohet përpara kryeministrisë nga opozita e bashkuar, që prej vendimit për të djegur mandatet e deputetëve të PD-së dhe të LSI-së.
Kërkesat e partive opozitare janë të qarta, dhe lidhen me mbajtjen e zgjedhjeve pa Edi Ramën kryeministër, dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila do të mundësojë mbarëvajtjen e tyre.
Me kalimin e javëve vendosen në pikëpyetje dhe zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, që sipas opozitës nuk do të mbahen, ndërsa qeveria Rama dhe PS janë angazhuar me zgjedhjen e kandidatëve në mbledhjen e sotme të Asamblesë.
Thirrja e policisë:
Policia, nëpërmjet një punonjësi të Policisë të Patrullës së Përgjithshme , thirrje në megafon drejtuar protestuesve dhe organizatorëve të protestës
“Te nderuar qytetarë,
Ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë.
Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarre, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë.
Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike se rrezikoni jetën e punonjësve të Policisë
(E.K/FAXWEB.AL)