Në Shkodër është organizuar një aktivitet sensibilizues në kuadër të muajit tetor, i cili edhe muaji kushtuar luftës ndaj kancerit të gjirit.
Zymreta Binishaj ka rrëfyer historinë e saj personale dhe luftën e fituar të kancerit të gjirit. Ajo ka zgjedhur që të bëjë publike historinë e saj për të përçuar një mesazh mbështetje për të gjithë ato gra dhe vajza që vuajnë nga kjo sëmundje. Ajo i ka ftuar të gjitha gratë dhe vajzat të kryejnë mamografinë që të parandalojnë në kohë këtë sëmundje.
“E kuptova vetë, bëra menjëherë mamografinë. Nuk u mërzita por u angazhova të bëja ndërhyrjen që duhej bërë. Doktori më tha që je në faza të para. Më shumë isha e mërzitur për njerëzit e tjetër se sa për vete. U angazhova që ta fitoja atë betejë dhe ja dola. Kontrolloni veten dhe bëni mamografinë të paktën një herë në vit,” është shprehur Zymreta Binishaj.
Mjekja Lindita Haxhia ka treguar edhe shifrat e mamografisë gjatë këtij muaji ku vetëm gjatë tetorit në Shkodër janë kryer 400 ekzaminime.
Discussion about this post