Në kohën kur të gjithë ishin të fokusuar në çështjen e shkarkimit të Manjanit një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një fëmije trevjeçar ndodhi në qytetin e Elbasanit. Nënë e bij u përplasën nga një automjet tip “Peugeot”, që për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, doli nga rruga, pasi shoferi nuk mundi të mbante mjetin nën kontroll.
Drejtuesi i këtij mjeti ishte 25-vjeçari Imirjan Shaipi. Ngjarja ndodhi në autostradën Tiranë-Elbasan, në afërsi të fshatit Ibë e Sipërme.
Nga verifikimet dhe matjet e kryera në vendin e ngjarjes, ekspertët e Policisë Rrugore kanë dyshime se Shaipi po lëvizte me shpejtësi mbi 120 kilometra në orë dhe për këtë arsye ka humbur kontrollin e mjetit, duke dalë nga rruga. Ndërsa nënë e bijë po ecnin në anë të autostradës, kur makina i ka përplasur.
Vajza e mitur, Xh. Velija, ka ndërruar jetë kur po transportohej për në spital. Ndërsa nëna e saj, E. Velija, 35 vjeçe, pas ndërhyrjes së mjekëve, e ka kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhet e shtruar në Spitalin e Traumës.
Edhe vetë drejtuesi i mjetit ka marrë disa plagë të lehta po nuk ka asgjë të rëndë në shëndetin e tij. Ndërkohë që pas ekzaminimit atij nuk iu gjet asnjë shenjë që mund të kishte konsumuar alkol. Gjithccka lidhet me shpejtësinë e lartë që kishtë nën drejtimin e mjetit.
I riu që shkaktoi aksidentin e rëndë në fshatin Ibë të Tiranës, është administrator i një kompanie private sigurie në Elbasan. Ai udhëtonte shpesh në kryeqytet dhe duket se autostradën që lidh dy qytetet e bënte për një kohë shumë të shkurtër, kjo për shkak të fiksimit që kishte për t’i dhënë makinës me shpejtësi.
Udhëtimet e tij të vazhdueshme drejt Tiranës e anasjelltas në Elbasan, Imirjan Shaipi i dokumentonte shpesh me video e foto që i publikonte në profilin e tij në “Facebook”. Madje në të njëjtën rrugë, ku shkaktoi aksidentin e rëndë të dielën, ai ka publikuar dy video, duke lëvizur me shpejtësi deri në 230 kilometra në orë.
Fotografia e fundit që tregon kilometrazhin e makinës së tij në ecje, që shënon 253 km/ orë, ai e ka postuar më 10 janar, shoqëruar me diçiturën: “Për të gjithë ata që nuk ndihen të sigurt me mua…”.
Ndërsa komentet poshtë kësaj fotoje, shumica ishin këshilla për të ulur shpejtësinë, kishte dhe të tjerë që i jepnin zemër të ecte në të njëjtën mënyrë. E me gjithë sigurinë që kishte në vete, gjatë drejtimit të makinave luksoze, duket se pikërisht kjo siguri e la në baltë këtë herë, pasi shkaktoi vdekjen e një vajze vetëm 3 vjeçe dhe plagosjen e nënës së saj. Ndërsa vetë përfundoi në qeli, si shkaktar i këtij aksidenti të rëndë, të ndodhur nga fiksimi i tij për të ecur shpejt.
Megjithatë, me një vëzhgim fare të lehtë në profilin social të Shaipit, duket se ai rrugën Tiranë – Elbasan e kishte kthyer në një vend ku bënte gara shpejtësie. Këtë e dëshmojnë videot e postuara nga vetë ai, ku udhëton me makinë me një shpejtësi deri në 260 kilometra në orë.
Në një prej videove, të postuar më 10 Janar, Shaipi shkruan: “Për të gjithë ata që nuk ndihen të sigurtë me mua…”, raporton Tvklan.
E vogla ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa nëna e saj ndodhet e shtruar në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Fatmirësisht edhe 7 – vjeçari që udhëtonte me Shaipin në automjet nuk ka pësuar dëmtime. (E.K/SHUPLAKA)