Një kotele e vogël ka rënë mbrëmjen e sotme në lumin Osum. Rrëzimi i maces së vogël dhe të qarat e saj kanë alarmuar turistët e huaj që ishin duke shëtitur mbi Urën e Varur në Berat, të cilët kanë lajmëruar menjëherë zjarrëfikësit.
Forcat zjarrëfikëse kanë zbritur shkallët e ndihmës së shpejtë në lumë dhe njëri prej tyre është futur në thellësinë e lumit për të shpëtuar kotelen që kishte ngecur në një parvaz të murin anësor të rrugës së lumit.
Kotelja e vogël është nxjerrë lart e gjallë nga efektivi zjarrëfikës dhe veprimi i tij është përshëndetur e duartrokitur nga turistët e qytetarët beratas, që e ndoqën nga afër këtë akt shpëtimi në të dyja brigjet e lumit.
Efektivi zjarrëfikës ka deklaruar se macen e shpëtuar që ishte një kafshë e braktisur do ta rrisin brenda Repartit Zjarrëfikës të qytetit.
(E.H/Faxweb.al)