Kontrollet policore dhe konstatimet e rrugorëve të kryeqytetit, tregojnë se ende shumë drejtues mjetesh, kryesisht të mjeteve të përdorimit vetjak, me drejtues prindër apo të afërm të fëmijëve, nuk i sigurojnë fëmijët me rripin e sigurisë dhe sistemet e fiksimit, siç parashikohet në dispozitat ligjore të Kodit Rrugor Shqiptar.
Sipas Policisë, sjellja e tyre shkakton jo vetëm pasoja ligjore për drejtuesit apo personat përgjegjës për mbikëqyrjen e fëmijëve në moshë jomadhore, por ekspozon ndjeshëm këta të fundit ndaj rrezikut dhe pasojave që mund të vijnë si rezultat i përfshirjes në aksidente rrugore.
Blutë bëjnë me dije se vetëm përgjatë katër ditëve të fundit, nga strukturat e policisë rrugore në kryeqytet, në funksion të kontrolleve policore parandaluese, janë konstatuar dhe proceduar administrativisht 167 drejtues mjetesh dhe persona përgjegjës për mbikëqyrjen e fëmijëve, nga të cilët 20 prej tyre u është pezulluar leja e drejtimit, pasi është verifikuar se transportonin fëmijë në moshë jomadhore, pa vendosur rripin e sigurisë apo sistemet e fiksimit.
Gjithashtu, janë verifikuar dhe proceduar administrativisht 58 drejtues mjetesh për transport pasagjerësh mbi kapacitetin e lejuar, si dhe janë vendosur 1 800 masa të tjera administrative, kryesisht për ndalim qëndrimi dhe mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve pranë shkollave dhe institucioneve të tjera arsimore.
https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/544849236320500/
(F.GJ/FAXWEB.AL)