Flakët mbi tunelin e Kalimashit janë vënë nën kontroll ditën e sotme pas mbrëmjes së djeshme ku zjarri mbërtheu të gjithë sipërfaqen në Thirrë. Zjarrfikësit nga Shqipëria dhe Kosova kanë vijuar operacionin gjatë gjithë natës për normalizimin e situatës dhe operacionin për shuarjen e vatrave të tjera të zjarrit.
Në ndihmë të zjarrfikësve shqiptarë erdhën mbrëmjen e kaluar edhe 34 zjarrfikës nga Kosova, të cilët morën pjesën në operacionin për shuarjen e flakëve masive. Një ditë më pas zona më problematike është Maja e Rrunës e cila vijon të jetë e përfshirë nga flakët. Siperfaqja nën flake eshte e konsiderueshme nderkohe qe terreni malor e ben nderhyrjen me te veshtire dhe me pak efektive.
Situata vijon të jetë problematike, por të gjithë forcat janë të përqendruara në këtë zonë dhe flakët po vihen nën kontroll. Aktualisht po punohet vetëm nga toka dhe deri tani nuk rrezikohen banesa, por nëse flakët do të dalin jashtë kontrollit do të bëhet dhe evakuimi i banorëve të zonës.
Janë 4 vatra në pjesën e malit të cilat paraqiten kritike dhe zjarri është në distancë nga qendrat e banuara.
Në pamjet e siguruara nga Fax News, shihet se zjarri ka djegur sipërfaqe të mëdha, ndërsa në zonë ka prezencë të madhe tymi.
(E.D/faxweb.al)