Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe strukturat e Interpol-it në Tiranë, Athinë dhe Milano, ka finalizuar me sukses kapjen dhe ekstradimin drejt Shqipërisë të dy shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në Greqi u arrestua shtetasi shqiptar N. K., alias N. T., 34 vjeç, i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, pasi Gjykata e Matit i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për dyshimin si bashkëautor në kultivimin e bimëve narkotike në një parcelë në Njësinë Administrative Ulëz, Dibër, në vitin 2022. Pas ndalimit të tij nga autoritetet greke dhe përfundimit të procedurave ligjore, ai u ekstradua në Shqipëri.
Ndërkohë, në Itali, në qytetin e Milanos, u arrestua dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë shtetasi O. J., alias O. Ç., 44 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e kishte dënuar me 6 muaj burg për veprën penale “Dhunë në familje”.
Njoftimi zyrtar:
Policia e Shtetit/Vijon bashkëpunimi me partnerët për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kapet në Greqi dhe ekstradohet në Shqipëri një shtetas i akuzuar si bashkëautor në kultivimin, në vitin 2022, të bimëve narkotike në Ulëz, Dibër.
Ndërkohë, në Itali është kapur dhe është ekstraduar një shtetas i dënuar për dhunë në familje.
Si rezultat i koordinimit të punës informative dhe operacionale me homologët grekë, nëpërmjet strukturave të Interpolit në Tiranë dhe në Athinë, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u kap nga policia greke shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, N. K., alias N. T., 34 vjeç. Në vitin 2022, Gjykata e Matit i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se është njëri nga autorët e kultivimit të bimëve narkotike, në një parcelë në Njësinë Administrative Ulëz, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga Policia.
Po ashtu, si rezultat i bashkëpunimit me partnerët, në kuadër të operacionit “The Wanted”, në Milano, Itali, u kap shtetasi O. J., alias O. Ç., 44 vjeç, dhe u finalizua procedura për ekstradimin e tij në Shqipëri. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, e ka dënuar me 6 muaj burg për veprën penale “Dhunë në familje”.