Pamjet që shihni janë shkëputur nga një aksident rrugor në Miami të Amerikës, ku pas përplasjes së dy makinave njëra prej tyre ka shpërthyer në flakë, duke rrezikuar seriozisht jetën e shoferit.
Ky i fundit teksa përpiqej që të dilte nga dritarja e makinës, dikush i është afruar me shpejtësi dhe e ka ndihmuar të dalë prej aty, duke i shpëtuar në këtë mënyrë edhe jetën.
Heroi i kësaj historie shkruan ‘Daily Mail’ është Jim Angulo, i cili ishte duke shkuar në punë në Miami rreth orës 02:00 të mërkurën, kur pa një automjet që po digjej, dhe ndaloi menjëherë.
Ajo që të bie në sy në dëshminë e tij, është fakti se në vendin ku po digjej makina, kanë qenë dhe njerëz të tjerë, të cilët kishin preferuar që të nxirrnin celularët dhe të filmonin, pa i dhënë ende ndihmën personit që ishte në flakë.
“Shikova nga e majta, dhe shikova nga e djathta dhe pashë 20 persona me celularët e tyre që nuk bënin asgjë, dhe unë thashë: “Kjo varet nga unë”, i tha Angulo mediave amerikane, ndërsa shtoi se “Nëse unë do të isha në të njëjtën situatë, shpresoj se dikush do të bënte të njëjtën gjë për mua.”
Angulo dhe një burrë tjetër shkuan me guxim drejt zjarrit dhe nxorën njeriun nga dritarja e kamionit. Ndërkohë, shoferi kishte pësuar djegie në disa pjesë të trupit, por është jashtë rrezikut për jetën.