Në bashkinë e Librazhdit është hapur një debat në lidhje me një padi penale ku janë të përfshirë kryebashkiaku Kastriot Gurra dhe shefi i auditit, Rexhep Hana.
Lidhur me këtë, Faxweb.al ka raportuar ditën e djeshme se Prokuroria e Përgjithshme kishte nisur një hetim të hollësishëm për Gurrën pas një padie të ngritur nga Hana, por që ky i fundit ditën e sotme mohon të ketë ngritur një akuzë ndaj kryebashkiakut.
Në shkresën e publikuar ditën e djeshme ndaj prokurorisë ku kërkohej hetim për Gurrën, argumentohej se ky i fundit kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit të depuzituar në KQZ kur ka pranuar të kandidonte me siglën e PS-së në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, pasi nuk ka deklaruar se ka pasur një procedim penal ndaj tij.
Padia ndaj Gurrës është ngritur nga Lëvizja Qytetare Sopoti, me përfaqësues Rexhep Hanën, audit i brendshëm në bashkinë e Librazhdit.
Sipas padisë në vitet 2007-2008, Kastriot Gurra ka falsifikuar vulën e Drejtorit të Ujësjellësit në Librazhd. Asokohe kishte nisur një proces hetimor, dhe Gurra ishte shpallur në kërkim, por nuk u arrestua asnjëherë.
Por me anë të një prononcimi për Fax News, Hana pavarësisht se në gjendje të ’emocionuar’, ka mohuar një gjë të tillë duke u shprehur se nuk është e vërtetë dhe se asnjë moment nuk ka bërë padi penale për eprorin e tij.
Ai thotë se adresa e emailit me të cilën është depozituar padia nuk është e tij, dhe se këtë çështje do ta ndjeki në rrugë gjyqësore duke treguar se ka aktivizuar edhe avokatin e tij.
“Unë në asnjë mënyrë nuk kam bërë padi për kryetarin tim dhe eprorin tim, dhe nuk kam asnjë konflikt me të për arsye se si përgjegjës me auditin kam marrëdhënie me vëllain tim, raportoi aty dhe marre mesazhe. Tani po e dëgjoj sot për këto lëvizje, unë nuk e di çfarë është, ai qemaili që është afishuar nuk është I imi, unë kam tjetër email, refuzioj në mënyrë kategorike,. Nga e hëna kam aktivizuar avokatin tim që të bëjë padi penale për portalet që kanë aktivizuar këtë gjë”, tha Hana.
(F.GJ/FAXWEB.AL)