Rikthimi i reshjeve të shiut pas një periudhë relativisht të gjatë me mot të qëndrueshëm, nuk do të thotë asgjë për të rinjtë shqiptarë, madje ata kanë zgjedhur edhe të qëndrojnë në radhë pranë ambjenteve të jashtme të ambasadës gjermane në Tiranë për t’u njohur me procedurat dhe fituar të drejtën për të shkuar drejt vendit europian.
Teksa stinët dhe kushtet atmosferike ndryshojnë vazhdimisht, prej vitesh diçka nuk ndryshon në qëllimin e një pjese të konsiderueshme të rinisë shqiptare: Për të ikur nga vendi.
Pamjet e mëposhtme janë dëshpëruese, por nga ana tjetër nuk janë veçse një tregues i këtij vendimi që herë-herë merret në rrethana dëshpëruese, në një kohë kur debati politik qarkullon sa tek një çështje tek tjetra, por që në thelb nuk ka prodhuar asgjë përmes të cilës të ndez tek shqiptarët shpresën për ta ndërtuar jetën në vendin e tyre.
Çështjet e ‘mëdha’ me të cilat merret politika, me sa duket janë vetëm një ‘vrimë në ujë’ për atë çfarë aspirojnë qytetarët për të prekur në të tashmen dhe në të ardhmen, ndërsa e shkuara qëndron ‘stoike’ dhe plot e mbushur me shembuj të papajtueshmërisë dhe sherrit politik, e jo rrallë kjo është pasqyruar edhe në sherr shoqëror.
Vrasjet, aksidentet shpesh për shkak të rrugëve pa parametra, drejtësia e munguar, kushtet e punësimit dhe punësimi i pamundur janë veçse disa prej arsyeve që edhe në shi e në breshër, shqiptarët të mbajnë radhë nëpër ambasada dhe konsullata njësoj si ë vitet ’90-të për të ikur më parë se të bëhen pjesë e këtij halli që duket i pazgjidhshëm.
(F.GJ/FAXWEB.AL)