Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe njëherë për të treguar se prishja e godinës së Teatrit Kombëtar nuk është thjesht një dëshirë e qeverisë por edhe e vetë artistëve.
Përmes një video të publikuar para pak minutash një video në profilin e tij në Facebook, shfaqet Leka Bungo, babai i Kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bungo, i cili është pro prishjes së Teatrit.
Regjisori Bungo, i ftuar në emisionin Zonë e Lirë përballë gazetarit Arian Çani, ka thënë se Teatri Kombëtar duhet prishur dhe duhet ndërtuar një i ri.
“Ja çfarë mendon për çështjen e teatrit një protagonist i njohur i skenës kombëtare, regjizori Leka Bungo – i cili, sa për ta ditur, njësoj si Raimonda Bulku e shumë të tjerë, jo vetëm s’ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste, po përkundrazi”, shkruan Rama në postimin e tij.
Kujtojmë se, paraditen e sotme, Rama citoi edhe aktoren Rajmonda Bulku, e cila sipas tij, kërkonte prishjen e Teatrit Kombëtar, diçka që u përgënjeshtrua menjëherë nga vetë Bulku.