Një përplasje me armë ka ndodhur mes efektivëve të policisë Fier dhe një personi të armatosur, duke përfunduar me plagosjen e këtij të fundit.
Sipas njoftimit zyrtar bëhet me dije se një grup efektivësh të cilët po kontrollonin zonën për kultivim narkotikësh është përballur me një person të armatosur me kallashnikov në fshatin Gjorgoz në Cakran të Fierit. Ky i fundit ka refuzuar të lëshojë armën dhe ka tentuar të qëllojë në drejtim të tyre. Menjëherë punonjësit e policisë kanë ndërhyrë për ta neutralizuar duke e lënë të plagosur por jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve i plagosuri është dërguar në spital ku dhe po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale pasi ka plagë arme në sup.
Mësohet se agresori është Greseld Shpataraku, 29 vjeç, banues në Patos, ndërsa policia ka konstatuar më pas se në afërsi të vendit ku u kap shtetasi me armë kishte dhe fidanë cannabis sativa të kultivuar në kubikë.
Njoftimi i plotë:
Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, grupi i kontrollit të territorit, i përbërë nga punonjës të Policisë të Komisariatit të Policisë Fier, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Gjorgoz të Njësisë Administrative Cakran të bashkisë Fier, ka konstatuar një person që mbante në dorë një armë zjarri kallashnikov.
Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje personit që të hidhte armën dhe mos të lëvizte, por shtetasi ende i paidentifikuar nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka drejtuar armën e zjarrit nga punonjësit e Policisë, duke e mbushur atë me qëllim që të qëllonte në drejtim të tyre.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për ta neutralizuar dhe për pasojë shtetasi ka mbetur i plagosur, për momentin jashtë rrezikut për jetën.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se në afërsi të vendit ku u konstatua shtetasi me armë kishte dhe fidanë cannabis sativa të kultivuar në kubikë.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe arma e zjarrit kallashnikov.
Në drejtim të vendngjarjes ka shkuar grupi hetimor, i cili në bashkëpunim edhe me SHÇBA, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personit.