Përfaqësues të PD-së dhe të LSI-së kanë mbërritur në Komisariatin nr.6, ku ndodhet i ndaluar Klevis Balliu dhe 7 banorë të Unazës së Re, pas përplasjeve që patën me policinë paraditen e sotme.
Mësohet se në këto momente ka një përplasje mes banorëve dhe policëve në komisariatin 6, pasi banorët kanë kërkuar që të hyjnë me dhunë në ambientet e brendshme.
I vetmi që ka hyrë brenda në komisariat është sekretari i PD-së Gazmend Bardhi, i cili tha se shoqërimet janë të jashtëligjshme.
Pjese nga deklarata e Bardhit:
Pyetje: Si do nuk do ta lejoni ju policinë e shtetit dhe qeverinë Rama për të mos patur të njëtin fat edhe banorët e Unazës së Re siç e patën banorët e Bregut të Lumit?
Gazment Bardhi: Ne do të jemi përkrah banorëve të Unazës së Madhe jo vetëm PD, por jam i sigurt të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Është provuar se nëse heshtim do të kemi fatin e banorëve të Bregut të Lumit. Këta banorë janë ngritur dhe prej gjashtë muajsh nuk kanë lejuar që për arsye korruptive t’u prishen shtëpitë e tyre. Ne jemi përkrah tyre dhe do të jemi përkrah tyre në çdo moment 24 orë të ditës.
Ndaj jam sot këtu, për t’u dhënë atyre mbështetje të plotë në emër të Partisë Demokratike. Mbi gjakun dhe djersën e banorëve të Unazës së Madhe dhe qytetarëve shqiptarë, nuk mund të ekzekutohet asnjë akt korruptiv siç është edhe projekti i Unazës së Madhe.
Pyetje: Përfaqësuesi i PD Klevis Balliu u mor nga policia, cili është qëndrimi juaj?
Gazment Bardhi: Është sigurisht një hakmarrje e pastër politike, një veprim i paligjshëm, e përsëris, sot në burg duhet të jenë ata që tentuan që nëpërmjet projektit të Unazës së Re të vjedhin me një projekt korruptiv të paktën 20 milionë euro. Banorët janë në të drejtën e tyre. Klevis Balliu ish-deputeti i PD-së ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të këtyre banorëve sikundër është e do të jetë e gjithë Partia Demokratike. Falemnderit!
(E.K/FAXWEB.AL)