Fax News ka shkuar mëngjesin e sotëm në Durrës, pranë struktures hoteliere ku po strehohen 140 nga shtetasit afganë që kanë mbërritur në Shqipëri pak javë më parë.
Duke folur për Fax News, shtetasit afganë e pranojnë se iu mungon vendi i tyre ndonëse kanë jetuar mes vështirësive, por me ardhjen e talibanëve gjërat u bënë më keq për ta.
Ata nuk e fshehin simpatinë për Shqipërinë që i mirëpriti, mirëpo dëshira për të udhëtuar drejt SHBA-ve është tepër e madhe.
Njëra nga shtetaset afgane thotë se në vendin e saj ishte një infermiere. Ajo shton se dëshirojnë të ikin drejt SHBA-ve pasi këtu nuk ndihen njësoj me vendasit.
Pjesë nga intervistat:
Shtetasja afgane 1: Fëmijët tanë shkojnë në shkollë. Është si një shtëpi. Në vendin tonë kishte luftë. Jemi rritur në luftë, por prapë na mungon shtëpi. Kemi qenë të lumtur në vendin tonë, derisa erdhën talibanët me kushtet e tyre.
Shtetasi afgan: E pëlqej Shqipërinë por planet janë për të ikur në Amerikë. E pëlqej Shqipërinë, sigurisht. Vijmë nga Afganistani. Na kanë thënë se do qëndrojmë për diçka më shumë se 3 muaj këtu dhe do shkojmë në SHBA. Nuk e flas mirë anglishten, por më pëlqen këtu. Megjithatë preferoj të shkoj në SHBA, sepse atje është më mirë. Di që dhe disa nga ne kanë shkuar atje.
Shtetasja afgane 2: Nuk e di sa do qëndrojmë, por nuk duam të rrimë gjatë. Këtu nuk punojmë dot, nuk shkollojmë dot fëmijët, nuk jemi si gjithë të tjerët, si ju. Unë atje punoja si farmaciste, këtu kam ardhur me familjen. Ne jemi rritur në luftë dhe nuk doja që dhe djali im të jetonte të njejtën jetë.
(E.H/Faxweb.al)