Shqipëria është vlerësuar me notën “më keq” në raportin vjetor të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë.
Reforma në sektorin e energjisë ka njohur përkeqësim gjatë vitit të shkuar, ndërsa prezantimin e këtij raporti i cili “fshikullon” direkt Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, e prezantoi vetë drejtori ekzekutiv i këtij sekretariati, Janez Kopac.
“Zoti Gjiknuri u zëvendësua dhe entuziazmi ka rënë. Dihet që ministrja e re do pak kohë që të njihet e mësohet me këto çështje dhe uroj që t’ia arrijë”, u shpreh ai para deputetëve shqiptarë.
Sipas Kopac reformat janë ngadalësuar dhe po ashtu janë paraqitur vonesa të përsëritura në implementimin e reformave strukturore në sektorin e energjisë.
“Ngadalësimi i reformave të tregut të energjisë vitet e fundit dhe vonesat e përsëritura në zbatim kanë bërë që politikat të jenë konservatore për rregullimin e tregut dhe të ketë një kontroll shtetëror të klientëve”, tha pa rezerva drejtori ekzekutiv i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac.
Ky i fundit u ndal të cekte dhe ngritjen e HEC-eve në vend, shumë të përfolura sidomos për ndikimin në mjedis, aferat korruptive në marrjen e lejeve si dhe vendimet gjyqësore në disfavor të komunitetit.
Kopac kërkoi që për miratimin e lejeve të hidrocentraleve të bëhet një studim i kostove që veprat kanë në mjedis dhe përftimi që mund të ketë vendi nga energjia e tyre.
Gjithashtu ai e konsideroi si jo të favorshëm për konsumatorët nismën e qeverisë për t’u faturuar energjinë elektrike çdo 3 muaj. (FAXWEB.AL)
Discussion about this post