Babai i Altin Gjokës, që mbeti i plagosur dy ditë më parë në rrugën “Todi Shkurti”, ka folur eksluzivisht për ‘Fax News’, por pa preferuar të bëhet mediatik publikisht.
Ai tregoi gjendjen shëndetësore të 2 të rinjve Altinit, djalit të tij dhe Jetmir Marashit, kushëri mjaft i afërt. Për të birin, Zef Gjoka tha se shumë shpejt pritet të lërë spitalin, ndërsa i është hequr edhe plumbi që ka marrë në shpatull.
Ndërsa për Jetmirin, vijon trajtimi e kujdesi i i vazhdueshëm mjekësor ku pritet edhe operimi i tij për nxjerrjen nga trupi të predhës së marrë nga të shtënat me armë zjarri nga autori i dyshuar Aldo Iamandi (Gjini) që ndodhet në arrati së bashku me 2 bashkëpunëtorët e tij.
Zefi thotë se për ngjarjen ka folur shumë pak me Altinin për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ndërsa mohon të ketë pasur njohje me autorin, ndërsa thotë se sherri ka qenë i çastit pas një aksidenti të lehtë.
“Altini me Jetmirin po kalonin pranë zonës ku ka ndodhur edhe incidenti, një gërvishtje makinash me mjetin tjetër. Ne jetojmë në zonën e Unazës, me dy djemtë, ndërsa kam edhe dy vajza. Altini ka jetuar sa në emigracion sa në Shqipëri, kurrë nuk ka pasur probleme apo penalitete. Askush nga familja e autorit nuk më ka kontaktuar, as nuk i njoh as nuk di se nga janë.
Unë kam folur shumë pak me djalin për ngjarjen, sepse nuk kam dashur ta lodh. Ka mbaruar një shkollë profesionale, ka qëndruar disa kohë edhe në emigracion, në Greqi. Është kthyer në Tiranë, jetojmë prej vitesh këtu që kur erdhëm nga Puka asnjë problem nuk kemi pasur me askënd.
Djali nuk di çfarë rruge do të ndjekë pas të dalë nga spitali, edhe pak kohë do qëndrojë sepse e ka marrë veten, por unë personalisht ia lë policisë dhe autoriteteve të bëjnë punën e tyre. Është detyrë e tyre ta zbardhin ngjarjen dhe nxjerrin përgjegjësit”, tha Zef Gjoka për Fax News.
Për ngjarjen janë shpallur në kërkim Aldi Iamandi (Gjini), person me rekorde kriminale në Itali e Belgjikë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si një ndër më të rrezikshmit në Europë si dhe dy bashkëpunëtorët e tij Njazi Kulla dhe Besard Pashkaj.
Po kush është Aldo (Iamandi) Gjini dhe rekordet e tij kriminale:
Aldo Gjini është arrestuar në 2016 nga policia italiane si pjesë e një bande shpërndarësish të lëndëve narkotike në qytetin e Askolit. Gjini në atë kohë 26 vjeç, ra në pranga bashkë me vëllain e tij Andis Gjini, ndërsa Kelvin Strati u la në arrest shtëpiak.
Banda e ngritur nga shqiptarët furnizonte me kokainë dhe marijuanë rrethinat në Askoli. Në momentin e arrestimit shqiptarëve dhe një të riu italian, iu gjetën 250 gramë kokainë dhe 1 kilogramë hashash.
Fax News ka siguruar një dokument të autoriteteve të Luksemburgut, të cilat e kanë shpallur Aldo Gjini në kërkim ndërkombëtar dhe e cilësojnë si një nga më të rrezikshmit të Europës.
Organet e drejtesise se Luksemburgut dyshojne për vrasje në tentativë më 24 nëntor 2020 në Qytetin e REMICH (Grand-Dukati i Luksemburgut).
Aldo Iamandi (Gjini) qëlloi me një pistoletë dhe plagosi rëndë një person. Që kur ai u largua nga vendi i krimit, vendndodhja e tij nuk dihej ndërsa mbrëmjen e sotme terrorizoi Tiranën.
Më 11 Shkurt 2021, u lëshua një Urdhër Arresti Evropian dhe nje Nderkombetar ndaj tij. Hetimet kanë vërtetuar se i arratisuri jetonte në Belgjikë (Bruksel) në vitin 2020 dhe atje përdorte automjetin Mercedes G AMG.