Fax News ka siguruar videon e momentit të shpërthimit me eksploziv që ndodhi pak pas mesnatës së sotme në zonën e Bathores, në shtëpinë e të dënuarit për vrasjen e vëllezërve Kolaveri, Gëzim Daci.
Ka qenë një mjet që është parkuar në afërsi të banesës trekatëshe të familjes dhe më pas shihet një i ri duke vrapuar. Ka qenë vetë familja Daci që ka vendosur një kamera sigurie jashtë ambienteve të saj, nga ku është fiksuar gjithçka.
Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi ka qenë në banesë vajza e familjes bashkë me dy fëmijët e saj, dhe vetë Xhelal Daci, raporton gazetarja e Fax News Xhensila Kodra.
Jashtë kamerave familjarët shprehen se shpërthimi ka qenë shumë i fortë dhe ata kanë lajmëruar menjëherë policinë. Ata shprehen se policia nuk ka vepruar edhe pse ata kanë kërkuar urdhër mbrojtjeje disa herë.
Kjo është hera e dytë që familja e Dacit sulmohet me eksploziv, ndërsa vetë të riut i është bërë atentat me snajper në burgun e Vaqarrit.
Familja Daci shprehet e bindur se dhe ky shpërthim që ka ndodhur sot është kryer nga familja Kolaveri. Më herët nga burgu edhe Gëzim Daci ka kërkuar që shteti të ndërhyjë dhe të mbvrojë familjen e tij, nga ndonjë hasmëri e mundshme.
Lidhur me atentatin që ndodhi në burgun në Vaqarr është arrestuar Ergys Kolaveri, që është vëllai i dy viktimave.
Edhe ngjarja e sotme mendohet se ka të bëjë pikërisht me hakmarrjen, pasin kujtojmë se dhe i ati i Gëzim Dacit është dënuar me 2 vite e 8 muaj burg për shkak se e ka ndihmuar të birin që të fshihet pas vrasjes së dy vëllezërve. Daci vuan dënimin me 35 vite burg, pasi ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar.
(E.K/FAXWEB.AL)