Video e mëposhtme tregon momentin e arrestimit të Gjergj Çukalit, të fortit të Myslym Shyrit që akuzohet për vrasjen e Arben Bilalit, ndodhur në Selitë në datën 30 Janar të këtij viti.
“Policia e Tiranës, pas një pune të mirëorgranizuar në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë bërë zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur në datën 30.01.2019, ku në rrugën “Isuf Banka”, në Tiranë, mbeti i vrarë 50-vjeçari A.B.
Bazuar mbi provat e grumbulluara Policia e Tiranës organizoi operacionin duke e finalizuar me vënien në pranga të autorit të dyshuar GJ.C. 40 vjeç”, njofton Policia e Tiranës.
Gjergji Cukali, i njohur si ‘’i forti i Myslym Shyrit” është arrestuar nga ana e Policisë së Tiranës edhe disa herë të tjera por më pas është lënë i lirë, në rrethana ende të paqarta. (Lexo edhe ketu)
40 vjeçari, mik i ngushtë i Emiljano Shullazit, rezulton i dënuar më parë për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Rrëmbim personi”.
Kush është Gjergj Cukali, lidhjet e tij me krimin:
Gjergji Cukali është një nga personazhet më të njohur për Policinë e kryeqytetit. Ai njihet edhe si një nga “të fortët” e rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë pas disa ngjarjeve të përsëritura në këtë lokalitet, ku i dënuari e ka përqendruar aktivitetin e tij.
Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004.
Dënimi i dhënë ndaj Cukalit ishte dhjetë vjet burg, ndërkohë fajtorë u deklaruan edhe pesë persona të tjerë të pandehur në lidhje me ngjarjen e pengmarrjes së ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”.
Kjo ishte një nga ngjarjet më të bujshme dhe më publike, për të cilat u akuzua Gjergji Cukali. Ngjarja kishte si motiv një konflikt për 100 mijë euro.
Ndërkohë që ai mbaroi dënimin për pengmarrjen e Demirlikës, i ndihmuar edhe nga amnistia që i fali një vit burg, problemet e të riut me policinë nuk kanë mbaruar.
Më 20 gusht 2012, nga Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Gjergji Cukali, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
Arrestimi i tij është bërë asokohe pasi sipas policisë, gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e Policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.
Nderkohe ne korrik te vitit 2016, policia finalizoi nje aksion pas hetimeve te prokurorise për grupin e Gjergj Cukalit.
Gjatë hetimit për personat shpërndarës të drogës u konstatua se furnitori i tyre ishte Gjergj Cukali.
(E.K/Faxweb.al)