Pas video-skandalit erotik që përfshiu javën e kaluar parlamentin, ku deputeti demokrat Ervin Salianji u filmua duke komunikuar me një person G.D, ka ardhur dhe reagimi i parë publik i tij.
Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, kur po diskutohej projektligji për Vettingun në Polici, ka folur dhe Salianji, i cili ka propozuar një Vetting jo vetëm në Polici, por dhe tek klasa politike.
“Ju si mazhorancë se keni pranuar që policia ka pasur probleme të thella në lidhjet e saj me krimin. Duke qenë se përfshini në këtë vetting të gjithë punonjësit e policisë së shtetit, a nuk mendoni se në këtë ligj duhej përfshirë edhe ministri i Brendshëm, për lidhjet e tij me krimin, pastaj të shtrihej në gjithë klasën politike. Ju thoni në relacion se legjislacioni i tanishëm nuk partashikon mjete apo procedura kontrolli që mund të konsiderohen si efektive. Një shqetësim tjetër është; a ka pasur marrje kompetencash nga nga ILDKP-ja për t’ia kaluar ato një institucioni që do ngrihet nga qeveria”,ka thënë Salianji.
Përgjigjen nuk ia ka vonuar, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili i ka thënë se është i hapur për një process Vettingu në politikë, por që pjesë e tij patjetër duhet të jetë dhe Salianji.
“Nëse do isha punonjës i Policisë së Shtetit, i Gardës apo SHÇBA-së, do i isha nënshtruar vettingut. Nëse duhet një ligj i vettingut për politikanët jam i pari që do e votoja dhe të cilit do i nënshtrohen të gjithë politikanët, duke ju përfshirë edhe ju”,-ka thënë Xhafaj.
(F.G/Faxweb.al)