Studentët e Fakultetit Ekonomik, pas mbledhjes së përbashkët kanë dalë në deklaratë për mediat ku kanë lajmëruar se do të vijojnë protestën e tyre, pasi kërkesat e tyre nuk janë plotësuar.
Studentët bënë të ditur për mediat se do të vijojnë të qëndrojnë të ngujuar në fakultet edhe gjatë natës. Ndërkohë që u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që ti bashkohen protestës së tyre.
Ndërkohë në fakultetin e Ekonomikut mbi 200 studentë u janë bashkuar studentëve të tjerë të
cilët vijonin ngujimin në ambientet e brendshme të këtij institucioni.
“Duke marr shkas nga zhvillimet e fundit në Fakultetin e Ekonomisë, UT pas shumë diskutimesh midis studentëve ramë dakord se protesta duhet të vazhdoj pasi qartësisht kërkesat tona nuk janë plotësuar.
Për këtë arsye kemi zhvilluar edhe një sondazh në fakultet dhe studentët me shumicë të cilësuar janë për bojkot deri në plotësimin e kërkesave tona.
Forma kryesore e protestës tonë është Bojkoti dhe gjithashtu do ta shoqërojmë me Ngujim.
I ftojmë gjithë studentët të na bashkohen nesër në protestë sepse kërkesat tona nuk janë plotesuar. Gjithashtu edhe qytetaret mund të na mbështesin me prezencën e tyre para fakuktetit që mos të guxoj më Policia e Shtetit dhe Policia Private të na dhunoj ndërsa ne protestojmë.
Për këtë arsye ju ftojmë nesër në mengjes që prej orës 07:00 ose më herët nëse mundeni ti dalim garant kauzës tonë. Kemi ftesë publike edhe ndaj pedagogëve që të na bashkohen në protestë. Të gjithë bashkë!
Gjithashtu distancohemi nga çdo organizim politik/partiak dhe jo vetem. Për ne të gjithë janë fajtor pse ne ndodhemi në këtë gjendje këto 28 vite! Studentët e bashkuar kanë për të fituar!”- thuhet në deklaratë.
Po ashtu studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale në një deklaratë kanë shprehur mos pajtimin në lidhje me vendimet e dala nga mbledhja e Rektoratit. Sipas tyre po tentohet të shmanget fokusi qëllimi i vërtetë i protestës.
Ato kanë vendosur që të vijojnë rezistencën me bojkot aktiv në mjediset e fakultetit duke shpallur dhe një agendë për ditën e nesërme.
(M.Q/Faxweb.al)