Janë shënuar tensione në Kavajë, ku protestuesit e mbledhur përpara bashkisë kanë ndaluar që të hyjë në godinë kryetarin e ri të Bashkisë Redi Kraja, dhe prefekten e Tiranës Suzana Jahollari.
Brenda në godinën e Bashkisë ndodhet që prej mëngjesit Isa Sakja, i cili pretendon se nuk do ta lërë zyrën e tij.
Mbështetësit e PD-së thërrasin në kor emrin e Isa Sakjas, ndërkohë që prefektja Jahollari pretendon se ka në dorë dokumente ligjore, që urdhërojnë nxjerrjen jashtë të kryetarit demokrat të Kavajës.
“Ne kërkojmë që Isa Sakja të lërë zyrën e Bashkisë, kërkuam të hynim në godinë së bashku me dokumentet ligjore, por nuk u lejuam”, është shprehur Jahollari.
Ceremonia e betimit të kryetarit të ri të Bashkisë së Kavajës u krye sot në zyrën e prefekturës, për të shmangur incidentet e mundshme në godinën e Bashkisë. Në zonë ka pasur sot një prani të madhe të policisë, ndërsa nuk dihet sesa do të vijojë qëndresa e Sakjas.
(E.K/Faxweb.al)